NATO dhe Ukraina do të zhvillojnë bisedime urgjente të martën pasi Rusia sulmoi qytetin Dnipro me një raketë balistike eksperimentale hipersonike që përshkallëzoi luftën gati 33-mujore.
Konflikti po “hyn në një fazë vendimtare”, tha të premten Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, dhe “po merr dimensione shumë dramatike”.
Parlamenti i Ukrainës anuloi një seancë ndërsa u forcuan masat e sigurisë pas sulmit rus të së enjtes në një objekt ushtarak në qytetin Dnipro.
Në një paralajmërim të ashpër për Perëndimin, Presidenti Vladimir Putin tha në një fjalim televiziv kombëtar se sulmi me raketën me rreze të mesme veprimi “Oreshnik” ishte në hakmarrje për përdorimin nga Kievi të raketave amerikane dhe britanike me rreze më të gjatë veprimi, të afta për të goditur më thellë në territorin rus.
Putini tha se sistemet perëndimore të mbrojtjes ajrore do të ishin të pafuqishme ndaj raketës së re ruse.
Zyrtarët ushtarakë ukrainas thanë se raketa që goditi qytetin e Dnipros kishte arritur një shpejtësi prej 13 mijë kilometrash në orë dhe kishte gjashtë mbushje jobërthamore.
Duke folur të premten me zyrtarë të industrisë ushtarake, Presidenti rus Putin tha se Rusia po fillon prodhimin e raketave “Oreshnik”.
"Askush në botë nuk ka armë të tilla", tha ai. “Herët a vonë edhe vendet e tjera do t'i sigurojnë ato. Jemi të vetëdijshëm se ato janë në zhvillim e sipër”.
Por ai shtoi, "ne e kemi këtë sistem tani. Dhe kjo është e rëndësishme."
Testimi i raketës do të vazhdojë, “përfshirë në luftime, në varësi të situatës dhe karakterit të kërcënimeve të sigurisë të krijuara për Rusinë”, tha zoti Putin, duke vënë në dukje se ekziston “një rezervë sistemesh të tilla gati për përdorim”.
Ndonëse nuk është një raketë ndërkontinentale, Putini tha se ajo ka efekt shkatërrues të ngjashëm me atë të armëve strategjike apo atyre bërthamore.
Ndërkohë Ministri i Jashtëm çek Jan Lipavský mbërriti për një vizitë në Kiev. Ai postoi një foto nga stacioni hekurudhor i Kievit në rrjetin social X të premten në mëngjes.
“Dua të njihem me gjendjen e ukrainasve përballë bombardimeve, ecurinë e projekteve çeke në terren dhe se si të përdoret më mirë ndihma ndërkombëtare në muajt e ardhshëm”, u shpreh ministri Lipavský.
Zyra e Presidentit Volodymyr Zelenskyy vazhdoi të punojë në përputhje me masat standarde të sigurisë, tha një zëdhënës.
Rusia lëshoi të enjten një raketë të re balistike me rreze të mesme veprimi në përgjigje të përdorimit nga Kievi të raketave me rreze më të gjatë veprimi të dërguara nga SHBA dhe Britania nga Kievi, të afta për të goditur më në thellësi të territorit rus, tha presidenti rus Vladimir Putin në një fjalim të enjten.
Pentagoni konfirmoi se raketa ruse ishte një lloj i ri, eksperimental i raketës me rreze të mesme veprimi, i bazuar në raketën balistike ndërkontinentale RS-26 Rubezh./VOA