Bashar al-Asad ka ikur në Rusi. Sundimtari i rrëzuar sirian do të jetojë me bashkëshorten e tij Asma dhe fëmijët Zein, Hafez dhe Karim në luks miliona dollarësh.
Përmbledhje:
▶︎ Bashar al-Asad ka marrë azil politik në Rusi.
▶︎ Thuhet se ai është vendosur në kompleksin “City of Capitals” në Moskë, ku zotëron 18 apartamente luksoze.
▶︎ Familja Assad mund të banojë edhe në Rubljovka, një lagje e pasur dhe e izoluar, e njohur si “Beverly Hills-i rus”.
▶︎ Mediat ruse reagojnë pak ndaj mbërritjes së Asadit, duke e quajtur “një kufomë politike”.
Putini i jep azil Asadit
Vladimir Putin (72) i ka dhënë azil politik Bashar al-Asadit (59) për arsye "humanitare". Vendimin e mori vetë presidenti Putin, sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitri Peskov. Megjithatë, Peskov nuk pranoi të tregojë se ku ndodhet Asadi në Rusi. Ai po ashtu konfirmoi se nuk është planifikuar asnjë takim mes Putinit dhe Asadit.
Sipas raportimeve, edhe bashkëshortja e Asadit, Asma, së bashku me vajzën Zein (22 vjeç) dhe djemtë Hafez (24 vjeç) dhe Karim (21 vjeç) ndodhen në Moskë prej disa ditësh.
Asadi zotëron 18 apartamente luksoze
Thuhet se familja Asad është mjaft e njohur me jetën në Moskë. Djali i madh i Asadit është doktorand në Universitetin Shtetëror të Moskës dhe muajin e kaluar mbrojti disertacionin e tij.
Sipas mediave britanike, familja Asad ka blerë të paktën 20 apartamente në Moskë, me vlerë rreth 33.6 milionë franga zvicerane. Gazeta "Financial Times" raporton se familja Asad zotëron të paktën 18 apartamente luksoze në kompleksin “City of Capitals” në Moskë. Ka spekulime se familja mund të jetë strehuar pikërisht në këtë kompleks.
Lagjja e milionerëve 40 minuta larg Moskës
Ky kompleks dy-kullësh është shtëpia e disa prej biznesmenëve më të pasur të Rusisë. Gjithashtu, aty ndodhen ministri të qeverisë, hotele me pesë yje dhe zyra të kompanive ndërkombëtare.
Por, gjithashtu, ka spekulime se familja e Asadit mund të jetë vendosur në lagjen e pasur Rubljovka, e njohur si "Beverly Hills-i rus" ose "gettoja e milionerëve".
Rubljovka: Bota e të pasurve të Rusisë
Rubljovka është një zonë e izoluar dhe e siguruar, me vila të rrethuara me mure të larta dhe me pika kontrolli të sigurisë. Kjo lagje është e qasshme vetëm me leje të posaçme. Distanca nga Moska është rreth 40 minuta me makinë.
Konvojet e makinave VIP, të shoqëruara me sirena të policisë, shpesh krijojnë trafik në këtë zonë. Kjo ndodh sepse edhe presidenti rus Vladimir Putin jeton afër, në rezidencën e tij në Novo-Ogaryovo.
Në vitin 2008, gazeta "Die Welt" e përshkroi Rubljovkën si një "muze të kapitalizmit të egër rus", që nuk përmendet në asnjë udhëzues turistik.
Sulme me bomba dhe dronë ukrainas në Rubljovka
Në vitin 2022, zona e sigurt e Rubljovkës u trondit nga një sulm i dyshuar me bombë automobilistike që vrau Darija Duginën, vajzën e propagandistit të Kremlinit, Aleksandër Dugin. Kjo ngjarje tronditi shumë rusë, pasi u kuptua se edhe kjo zonë e siguruar ishte e ekspozuar ndaj sulmeve.
Në maj 2023, dronë ukrainas sulmuan disa vendbanime në Rubljovka, duke dëmtuar mitin e "sigurisë totale" për elitën ruse.
Kush banon në Rubljovka?
▶︎ Marko Millosheviq - djali i ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq, zotëron prona në kompleksin “Gorki-8”.
▶︎ Jan Marsalek - ish-drejtuesi i kërkuar i skandalit të Wirecard, jetonte pranë ministrit të mbrojtjes Sergej Shoigu.
▶︎ Viktor Janukoviç - ish-presidenti ukrainas jeton në një rezidencë me vlerë 52 milionë dollarë në Barvikha, një pjesë e Rubljovkës.
▶︎ Aleksandër Maslyakov - prezantues i njohur rus, zotëron një shtëpi në Rubljovka.
▶︎ Nikita Mihalkov - regjisor i njohur rus, ka një pronë në Rubljovka.
▶︎ Roman Abramoviç - miliarderi financoi ndërtimin e një lagjeje të tërë në këtë zonë, duke e dizajnuar atë në stilin gregorian.
▶︎ Dmitri Medvedev - ish-presidenti rus jeton në kompleksin “Gorki-9”.
▶︎ Viktor Zolotov - ish-shefi i sigurisë së Putinit dhe komandant i Gardës Kombëtare të Rusisë, zotëron një rezidencë në Rubljovka.
▶︎ Arkadi dhe Boris Rotenberg - miliarderët rusë dhe miq të afërt të Putinit zotërojnë prona në këtë rajon.
▶︎ Juri Lushkov - ish-kryebashkiaku i Moskës gjithashtu ka një rezidencë në Rubljovka.
Prania e Asadit në Moskë ngjall pak reagime në Rusi
Mediat ruse kanë reaguar ftohtë ndaj lajmit se Bashar al-Asad është vendosur në Moskë. Platforma ruse "Topwar" e përshkroi me ironi: "Urime, z. Asad, që tani jeni edhe ju një banor i këtij lagjeje të shtrenjtë."
Sipas platformës, Asadi do të kalojë "një jetë të rehatshme dhe të qetë, diku në Rubljovka, afër Janukoviçit". Më tej shtohet se Asadi tani është "po aq i vdekur politikisht sa ish-presidenti ukrainas Janukoviç".
Bota luksoze e Vladimir Putinit
Vladimir Putin jeton që nga viti 2000 në rezidencën e tij në Novo-Ogaryovo, afër lagjes luksoze Rubljovka. Thuhet se ai e ka zgjeruar pronën e tij, duke përfshirë një spital privat, një kompleks sportiv dhe disa shtëpi mysafirësh.
Në vitin 2006, Putin përmes kompanive offshore bleu disa prona për anëtarët e familjes së tij. Ai siguroi dy vila për vajzën e tij të madhe Maria, një shtëpi për vajzën e tij më të vogël Katerina dhe një tjetër për ish-bashkëshorten e tij, Ljudmila.
Në vitin 2021, u raportua për një ndërtim të madh në pronën e Putinit, por Kremlini e mohoi këtë informacion. Disa ditë më vonë, faqja e lajmeve MBK News, e cila raportoi për këtë çështje, u mbyll nga autoritetet ruse.