Ka një pafundësi të panjohurash për të ardhmen e Sirisë, një panoramë ku parashikimet janë vërtetuar të gabuara në harkun e pak orëve. Pasi regjimi shtypës u shemb, kryengritësit duhet të gjejnë një mënyrë për të menaxhuar një vend të gjunjëzuar. Për të shmangur kaosin, hakmarrjen, zemërimin kundër një pushteti përgjegjës për krime të rënda. Euforia e çlirimit pas dekadash represioni mund të lërë vend për çdo gjë.
Sinjalet pajtuese të dërguara nga lideri i HTS-së, Abu Mohammed al-Jolani, dhe lëvizjet për një tranzicion paraqesin përpjekje të mira për të menaxhuar krizën dhe dëshmi të një axhende të studiuar. Nga ana tjetër, ka nga ata që kujtojnë përvoja katastrofike: Iraku pas pushtimit amerikan, Libia post-Gaddafi ose Somalia më e largët. Në fakt, në këto orë kryefjala e shumë qeverive është “stabiliteti”, ndërsa vetë al-Jolani duhet t’i kushtojë vëmendje sigurisë së tij personale.
Shpatulla e Hts
Siria është një mozaik i etnive, grupeve dhe milicive. Alavitë, sunitë, shiitë, kurdë, druze, të krishterë. Dislokimi i rebelëve është i ndarë në mënyrë të barabartë: shtytja përfundimtare u dha nga HTS, më tej u pasua nga forcat proturke, por ka akoma më shumë, formacione që mund të imponojnë autoritetin e tyre. Fitorja i bashkon, ajo që vjen pas mund t’i ndajë. Dhe kjo mund të varet edhe nga frymëzimet e jashtme. Me një aktor që ka aspiruar gjithmonë të luajë një rol parësor, Turqinë.
Hts ka origjinë kaediste dhe pasi u “prish” me grupin mëmë u përpoq të ofronte një imazh tjetër dhe ofroi garanci për heqjen dorë nga xhihadizmi transnacional, duke preferuar të këmbëngulte në karakterin “nacionalist” në nivel politik, ndërkohë që zbatonte rregullat islamike në rajonin e vendndidhjes të vet. Megjithatë, ekziston një frikë e përhapur për një shtet me konotacion islamik dhe skajet më radikale brenda lëvizjes shihen me frikë, veçanërisht militantët e huaj (kinezë, çeçenë, uzbekë). A do të lodhen nga luftërat apo do të kërkojnë armiq të rinj? Pastaj është shpirti i dytë radikal i mishëruar nga Shteti Islamik, një kundërshtar i rebelëve, gati për t’u futur në tufën e revolucionit.
Kurdët përfaqësojnë armikun numër një të Ankarasë, e cila kërkon të përdorë “brigadat” e kryengritësve të mbështetur prej saj për të nisur një sulm dhe në fakt ka pasur përplasjet e para. Kushdo që komandon në Damask do të duhet të shmangë zgjerimin e frontit. Të dhënat nuk janë të mira. Çështja ka të bëjë edhe me Uashingtonin: presidenti i ri Trump ka deklaruar se SHBA duhet të qëndrojë “jashtë” mosmarrëveshjes dhe do të shohim nëse, sapo të hyjë në Shtëpinë e Bardhë, ai do të tërheqë rreth 900 ushtarë amerikanë të pranishëm në pozicionet në Kurdistanin sirian dhe në pozicionin strategjik të al Tanf, në kufirin me Jordaninë.
Depot e armëve
Shtetet e Bashkuara, në këto orë, po ndjekin me kujdes një dosje serioze: ka të bëjë me depot e mundshme të armëve kimike që u furnizoheshin besnikëve të Assadit. Pentagoni është i shqetësuar se mund të përfundojnë në duar të gabuara. Alarmi u dha nga Tel Avivi i cili kreu disa sulmeve kundër qendrave siriane të përfshira në zhvillimin e pajisjeve.
Irani është humbësi i madh. Territori sirian ishte themelor për Boshtin e Rezistencës, koalicionin e milicive të sponsorizuara nga Irani, dhe mbi të gjitha për të ushqyer Hezbollahun libanez, i cili tani po humbet prapavijën e vërtetë logjistike. Ai do të duhet të rishikojë programet e veta dhe të marrë parasysh presionin e ri të SHBA-së. Ndoshta Pasdaranët do të përpiqet të pengojnë projektet e Sirisë së re.
Rusia, e poshtëruar, ka parë e pafuqishme fundin e asaj që kishte krijuar, përjetoi përvojat e vuajtura nga amerikanët në Saigon dhe Kabul. Pakti me Damaskun e kishte lejuar të kthehej me forcë në Lindjen e Mesme duke hapur bazat dhe duke u bërë protagoniste. Çfarë do të ndodhë me instalimet e saj ushtarake? A do të gjejë zgjidhje të tjera? Sipas Tass, rebelët kanë dhënë garanci për sigurinë e tyre.
Izraeli nuk humbi kohë në dërgimin e ushtarëve në zonën e çmilitarizuar në Golan, ai ka zënë pozicione në anën siriane të Golanit, po krijon efektivisht një rrip sigurie. Kënaqësia për përmbysjen e kampit pro-Iranit po shoqërohet me shqetësime për kërcënime të mundshme./botaal