Hagë, përfundon seanca për kompensimin e dëmeve nga ndryshimet klimatike

Bota

Hagë, përfundon seanca për kompensimin e dëmeve nga ndryshimet klimatike

Më: 14 dhjetor 2024 Në ora: 16:16
Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë

Një seancë historike mbi detyrimet ligjore të vendeve mbi ndryshimet klimatike përfundoi të premten në gjykatën e lartë të Kombeve të Bashkuara në Hagë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, rezultati mund të ketë pasoja për luftën kundër ngrohjes globale - dhe për vendet e zhvilluara që fajësohen për çlirimin e pjesës më të madhe të gazeve që shkaktojnë efektin serrë.

15 gjyqtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë kanë dëgjuar prova nga 99 vende dhe dhjetëra organizata.

Ata po përpiqen të përcaktojnë detyrimet ligjore të vendeve për të trajtuar ndryshimet klimatike dhe për të kompensuar dëmet e shkaktuara, si për shembull në vendet ishuj që humbasin territorin për shkak të rritjes së nivelit të detit.

Dëshmitë kanë qenë ndonjëherë teknike - por edhe të apasionuara dhe emocionale. Vendet e vogla ishuj kanë argumentuar se ekzistenca e tyre është në rrezik dhe për rrjedhojë ligjet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut duhet të zbatohen edhe për ndryshimet klimatike.

Vishal Prasad drejton fushatën për organizatën e Studentëve të Ishujve të Paqësorit që luftojnë ndryshimet klimatike.

“Për të rinjtë, kërkesa për dëmshpërblime është vendimtare për drejtësinë. Ne kemi trashëguar një planet në rënie dhe përballemi me perspektivën e zymtë për të kaluar një botë edhe më të degraduar tek brezat e ardhshëm. Po aq e qartë është edhe kërkesa për ndërprerje të menjëhershme. Nëse emetimet e gazeve serrë nuk ndalen, ne nuk po rrezikojmë vetëm të ardhmen tonë, por po e mirëpresim vdekjen e saj”, tha aktivisti Prasad.

Kundër këtij argumenti ishin disa vende që shkaktojnë ndotjen më të madhe – përfshirë Kinën, Indinë, Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara.

Ata argumentuan se vetëm traktatet e klimës – siç është Marrëveshja e Parisit e vitit 2015 – i ngarkojnë me detyrime ligjore vendet lidhur me ndryshimin e klimës.

Margaret Taylor përfaqësoi Departamentin amerikan të Shtetit.

"Një procedim këshillimor nuk është mjeti për të diskutuar nëse vende individuale ose grupe vendesh kanë shkelur detyrimet në lidhje me ndryshimet klimatike në të kaluarën, ose mbajnë përgjegjësi për zhdëmdimet, siç kanë sugjeruar disa pjesëmarrës", tha zonja Taylor.

Shumë aktivistë për dëmshpërblimet u ndjenë optimistë pasi seanca dy-javore u mbyll të premten.

Avokatja keniane Brenda Reson Sapuro përfaqësoi organizatën Rinia Botërore për Drejtësinë Klimatike.

“Vazhdojmë të kemi shpresë, sepse i kemi treguar historitë tona. Ne i kemi treguar historitë tona nga zemra”, tha zonja Sapuro.

Gjyqtarët mund të përcaktojnë se vetëm marrëveshjet ekzistuese të klimës kanë rëndësi ligjore. Ose mund të tregohen shumë më ambiciozë, shpjegon eksperti i ligjeve për çështjet klimatike, Renatus Otto Franz Derler.

“Duke thënë se po, vendet shkaktojnë ndryshime klimatike, është një shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe për këtë arsye shtetet janë të detyruara të paguajnë kompensim financiar dhe të ndërpresin të gjitha këto aktivitete të dëmshme”, thotë ai.

Zoti Derler tha se një rezultat i tillë ka të ngjarë të çojë në pasiguri të mëtejshme ligjore se si dhe ku do të dëgjohen pretendime të tilla për kompensim.

Opinioni i gjyqtarëve – i cili nuk do të jetë ligjërisht i detyrueshëm – pritet të publikohet vitin e ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat