Në bordin e avionit të tij presidencial Air Force One mbrëmjen e së dielës, Donald Trump njoftoi gazetarëve se do të fliste me presidentin rus Vladimir Putin të martën.
Ai tha se “shumë punë është bërë gjatë fundjavës”, duke shtuar se do të shohin nëse kanë “diçka për të shpallur” të martën, shkruajnë mediat e huaja.
Lajmi vjen një javë pasi delegatët e SHBA-së dhe Ukrainës u takuan në Arabinë Saudite, ku ata njoftuan perspektivën e një armëpushimi 30-ditor, hapi i parë për t’i dhënë fund luftës.
Megjithatë, SHBA-ja ende po përpiqet të bindë Rusinë që të bie darkord me marrëveshjen e armëpushimit.
Për bisedimet me Putinin, Trump tha: “Unë mendoj se do të flasim për tokën. Është shumë më ndryshe nga sa ishte para luftës, siç e dini. Ne do të flasim për termocentralet, kjo është një pikëpyetje e madhe.
Ne duam të shohim nëse mund ta çojmë drejt fundit atë luftë. Ndoshta mundemi, ndoshta nuk mundemi, por mendoj se kemi një shans shumë të mirë.”