Washington/Caracas – Një goditje e ashpër nga Donald Trump ndaj kartelit venezuelas të drogës! Si rezultat, u eliminuan 11 anëtarë të bandës.
Forcat amerikane kanë shkatërruar në ujërat ndërkombëtare një varkë që vinte nga Venezuela, e cila i përkiste bandës famëkeqe Tren de Aragua. Sipas presidentit amerikan, në operacion u vranë 11 “drogë-terroristë”.
Trump publikoi edhe një video dramatike: në të shihet një varkë e vogël që goditet nga një raketë, merr flakë dhe shpërthen në copëza. “Prandaj e shkatërruam”, deklaroi ai nga Shtëpia e Bardhë.
Në platformën e tij Truth Social, Trump shkroi se bëhej fjalë për një mjet që po kontrabandonte drogë drejt SHBA-së. “Kjo duhet të shërbejë si paralajmërim për këdo që mendon të sjellë drogë në Shtetet e Bashkuara”, theksoi ai.
Banda Tren de Aragua (TDA) është shpallur organizatë terroriste në SHBA. Trump tha: “Ata veprojnë nën kontrollin e diktatorit Nicolás Maduro (62) dhe janë përgjegjës për masakra, trafikim seksual dhe akte terroriste.”
Edhe sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio (54), e vlerësoi operacionin si “goditje vdekjeprurëse” ndaj kartelit, duke theksuar se Uashingtoni do të vazhdojë me të gjithë fuqinë kundër “narco-terroristëve”.
Koka e Maduron në lojë
Vetëm disa ditë më parë, Trump kishte dërguar disa anije luftarake dhe 4000 marinsa në rajon. Në përgjigje, udhëheqësi socialist i Venezuelës, Maduro, mobilizoi miliona milicë dhe e quajti situatën “kërcënimi më i madh në 100 vitet e fundit”.
Maduro akuzoi SHBA-të se po përgatitin një pushtim. “Ata duan një ndryshim regjimi përmes kërcënimeve ushtarake”, deklaroi ai në Caracas.
Ndërkohë, Uashingtoni kishte dyfishuar shpërblimin për kapjen e Maduros në 50 milionë dollarë – shuma më e lartë e vendosur ndonjëherë nga SHBA. Sipas “New York Post”, burime pranë Trumpit deklaruan pas sulmit: “Terror-sundimi i Maduros po merr fund. Misioni historik i presidentit Trump për të siguruar hemisferën perëndimore sapo ka filluar.”