Ushtria amerikane ka sulmuar sërish objektiva në Iran. Mediat shtetërore iraniane raportuan për shpërthime në disa rajone të vendit. Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) deklaroi se sulmet erdhën pas sulmeve të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit dhe ndaj forcave amerikane në rajon.
Irani reagoi ndaj këtyre sulmeve të reja amerikane me sulme ndaj bazave amerikane, raportoi agjencia e lajmeve Tasnim. Sipas saj ushtria iraniane kishte nisur një operacion ushtarak "vendimtar”. Garda Islammike Revolucionare e Iranit pretendon se ka kryer një sulm me raketa ndaj një baze amerikane në Jordani.
Luftimet u përshkallëzuan sërish gjatë fundjavës
Pas më shumë se një muaji ndërprerjeje të dy vendet rifilluan të dielën luftimet mes tyre. CENTCOM deklaroi se sulmet e kryera gjatë fundjavës kishin për qëllim pengimin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit që të vendoste mina të reja në Ngushticën e Hormuzit.
Teherani reagoi duke lëshuar raketa drejt objekteve amerikane në Jordani, por sulmi u zmbraps.
Për shkak të rifillimit të luftimeve, Departamenti Amerikan i Shtetit rinovoi paralajmërimin për udhëtime për të gjithë Lindjen e Mesme. Nga Uashingtoni u deklarua se, për shkak të tensioneve, gjendja e sigurisë mbetet komplekse dhe se ekziston mundësia e një përshkallëzimi të paparashikueshëm. / DW