Është gjetur çekiçi me të cilin 39-vjeçari shqiptar ka goditur gruan e tij në kokë, përpara se ta mbyste me duar, ndërsa dy fëmijët e mitur të çiftit, të moshës 9 dhe 12 vjeç, po flinin. Sipas mediave greke, ai e kishte fshehur çekiçin në papafingo ku edhe mbante trupin e pajetë të 32-vjeçares prej gati 7 ditësh. Ndërkohë po vazhdojnë hetimet e policisë për vrasjen mizore të gruas, krim makabër i ndodhur në Ampelokipi.
Shkak mësohet se ka qenë një telefonatë që gruaja ka marrë nga një shoku i saj teksa ka hyrë në tualet për të folur me të, sipas dëshmisë së autorit. 39-vjeçari ka treguar se dëgjoi telefonatën, u zemërua dhe vendosi ta vriste.
Më pas ai mori një çarçaf dhe e la trupin në dhomën e tyre, për ta transportuar më vonë në papafingo. Kur fëmijët e tyre u zgjuan të nesërmen në mëngjes dhe u bënë gati për shkollë, ata pyetën babanë e tyre se ku ishte e ëma dhe ai u përgjigj se kishte shkuar në punë.
Fëmijët kanë shkuar në shkollë dhe më pas autori i ka çuar te vëllai i tij. Kur fëmijët u kthyen në shtëpi, 39-vjeçari vendosi të telefonojë autoritetet dhe të rrëfejë krimin, duke thënë se vrau gruan e tij të enjten e kaluar.
Pasi efektivët e policisë mbërritn në vendngjarje ndjenë që në momentin e parë një aromë të keqe që vinte nga qeset e zeza që ndodheshin në papafingo të shtëpisë. Në fakt, ai dyshohet se e ka mbështjellë trupin me çarçaf dhe najlon.