Zbulohet ngjarja që ndezi konfliktin Sadikaj-Papa në Athinë

Diaspora

Zbulohet ngjarja që ndezi konfliktin Sadikaj-Papa në Athinë

Më: 7 dhjetor 2024 Në ora: 10:17
Foto nga vendi i ngjarjes

Bisedat në platformën “Sky ECC”, zbuluan se Aleksandër Sadikaj ishte organizatori i atentatit të 26 shkurtit 2021 në “Stacionin e Larisës” në Athinë, ku mbeti i plagosur 32-vjeçari nga fshati Dhivër i Sarandës, Ari Papa.

Siç zbuluan bisedat në platformën e kriptuar, zbardhur nga gazetari Artur Bibe, shkak për konfliktin Sadikaj-Papa ishte ngjarja e 14 dhjetorit 2020, ku mbeti i plagosur kushëriri i Sadikajt, 16-vjeçari Rubin Kalemi, i cili u qëllua me armë zjarri teksa udhëtonte në makinë me shtetasin Viljan Boraj.

Pas kësaj, Sadikaj organizoi disa persona për të kryer vrasjen me snajper të Ari Papës. Ky i fundit u plagos, por 3 muaj më pas u arrit të vritej në një zonë tjetër të Athinës.

Top Channel ka siguruar fotot dhe detajet nga ngjarja e 14 dhjetorit 2020. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur rreth orës 20.00 në kryqëzimin e rrugëve “Nikopoleos” dhe “Korthiou” në zonën e Kato Patisias në Athinë.

Policia u njoftua nga banorë për të shtëna me armë zjarri. Sapo ka shkuar në vendngjarje, ka gjetur automjetin tip “Smart” me targa greke IYP 2521.

Brenda tij ndodheshin dy meshkuj shqiptarë dhe një femër gjeorgjiane. Një nga meshkujt ishte i plagosur me armë zjarri në shpinë dhe u dërgua me urgjencë drejt spitalit “Gennimatas”.

Sipas policisë, personat që ndodheshin në mjet, nuk kishin ndërmend të njoftonin policinë, cka ngjalli dyshime për policinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat