Një jetë për atdheun, larg atdheut

Diaspora

Një jetë për atdheun, larg atdheut

Nga: Burim Breznica Më: 8 dhjetor 2024 Në ora: 09:39
Burim Breznica

E nderuar ambasadore Shkëndije Geci-Sherifi dhe diplomat 

Dren Zeka nga ambasada e Kosovës,  

E nderuar diplomate Elda Lezaj nga ambasada shqiptare   

E nderuar eurodeputete zonja Arba Kokalari, 

Të dashur bashkëatdhetarë, 

Ju përshëndesim dhe falenderojmë që keni ardhur në këtë aktivitet të vecantë dhe shumë të rëndësishëm për të nderuar jetën dhe veprën e një atdhetari, intelektuali dhe njeriu të urtë e të mirë, të zotëri Adil Bicakut.  

Tre shoqata u bashkuan rreth kësaj ideje për të organizuar këtë aktivitet kulturor dhe autobiografik , për të dëshmuar se shqiptarët organizohen dhe punojnë së bashku për të nderuar atdhetarët dhe vlerat tona dhe për të shprehur mirënjohjen e tyre për gjithë kontributin e   jashtzakonshëm të  z. Bicaku që ka dhënë për komunitetin shqiptarë në Suedi për rreth 6 dekada të tëra (ka ardhur nga Shqipëria në Suedi më 24 korrik 1964) e vazhdon ta bëjë edhe sot.  

Historia e zotëri Bicakut është sa e vështirë, me përpjekje titane në rrugën drejt lirisë, poashtu edhe me krenari, me arritje të mëdha,  dhe me kontribut për shqiptarët dhe shoqërinë suedeze.  

Shkrimtari nga Librazhdi, Ali Buzra ka shkruar një libër mjaft interesant autobiografik për z. Bicakun që doli nga shtypi në gusht të këtij viti (2024). Dhe një pjesë të të dhënave do t¨i kem referencë nga ky libër objektiv dhe burime të tjera. 

Z. Adil Bicaku u lind në Qarrishtë të Librazhdit më 14 dhjetor 1938 sipas librit në një familje me tradita patriotike e liridashëse, e cila përbëhej nga rreth 70 anëtarë. Sipas Kadri Bicakut (xhaxhait të Z. Adilit) origjina e fisit Bicaku ishte nga Mati dhe ishin fis me Zogollët. Gjyshi i Adilit quhej Emin dhe ai ishte një burrë i matur, besnik, trim, bujar dhe fisnik.   

Në vitin 1937 familja kishte hapur një dyqan në Librazhd, atje kishin prona dhe bagëti dhe një ekonomi goxha të konsoliduar. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, familja e gjyshit të Z. Adilit kishte mbrojtur hebrenjtë. Por, dhuna e sistemit dhe regjimit diktatorial do të prekte familjen e tij qysh në moshën 7 vjeçare, në vitin 1945, atëherë kur komunistët konfiskuan dyqanin e familjes Bicaku. Pastaj regjimi iu mori mall e bagëti dhe sasi monedhash ari si dhe e dogjën shtëpinë e tyre. Komunistët pastaj arrestuan gjyshin e z. Adilit, i cili ishte në moshën 75 vjeçare dhe ai u akuzua se kishte ndihmuar disa nacionalistë shqiptarë. Në vitin 1946 u arrestua dhe vëllai i gjyshit Kapoja. Në vitin 1951, kur z. Adili ishte 12 vjeç, iu arrestua edhe babai i tij Nexhipi, të cilin fatkeqsisht nuk do ta shihte më.  

Në vitin 1945 Z. Adili do të shkonte në shkollë në Gizavesh për 2-3 muaj, tek dajat e tij. Atje vazhdoi shkollën dhe përfundoi klasën e katërt.  Z. Adili vazhdoi klasën e pestë në shkollën “Naim Frashëri” në Elbasan (shkollë 7 vjecare). Po në Elbasan ai mbaroj shkollën e mesme pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në vitet 1954-58, dhe atë kohë ai ndjekej dhe mbikqyrej nga regjimi komunist.  Z. Adili shërbeu si mësues në Fier për 5 vite, por e lëviznin çdo vit në fshatra të ndryshme. Së fundi në vitet 1962-63.  

Në verë të vitit 1962, regjimi komunist i arrestoi xhaxhain e tij Veliun, kur z. Adili nuk ishte në shtëpi. Gjersa i bastisej shtëpia Z. Adili erdhi aty dhe një oficer i thotë: “ së shpejti kjo të pret edhe ty”.  Për t”i ikur fatit të gjyshit, të babait dhe xhaxhait, z. Adili vendosi të largohej nga Shqipëria. Kjo ishte një protestë, një sfidë dhe një kundërshtim ndaj diktaturës por edhe një mënyrë për t”ikur dhunës, shtypjes dhe për të kërkuar lirinë e munguar.  

Ai u nis së bashku me Mustafa Lleshanakun më 8 gusht 1963 për Maqedoni ku qëndruan disa muaj në burg dhe pastaj pas disa muajsh (dhjetor 1963) ikën për në Greqi.  Më 24 korrik 1964, së bashku me Pjetër Marashin dhe Mustafa Lleshanakun udhëtojnë nga Greqia për Malmö, Suedi. Në Suedi kishte pastërti dhe rregull në krahasim me Greqine dhe z. Adil do të gjente punë në një fabrikë vidash pas 3 muajsh. Ai shkonte tre ore në ditë në shkollë. Nga rroga e parë kishte dërguar 50 dollarë në shtëpi.  

Në Trelleborg të Suedisë do të gjejë vetveten politikisht dhe shpirtërisht mbështetur në tabanin familjar me traditë legaliste. Aty inkuadrohet ne Partinë e Legalitetit.  Më 22 prill 1965 vjen në Stokholm (kishte dëgjuar për një mik Islam Karaj nga Librazhdi).  

Z. Adili u martua me Julita Gil më 17 maj 1968 në Madrid të Spanjës. Nexhipi lindi më 1969, Teuta më 1972 dhe Iliri më 1976. Më 1974 shkuan me familjen në Spanjë, në darkë te Mbreti Leka I.  

Në Stokholm, z. Adili u angazhua në aktivitetin patriotik, u shkollua, u bë njeriu i letrave, u martua dhe u bë një familjar i dashur dhe i respektuar. Ai u shkollua në Institutin e Lartë Teknik të Stokholmit, duke qenë i pari shqiptar të dipllomohet si inxhinier i elektronikës dhe duke vendosur Flamurin Shqiptar në Bashkinë e Stokholmit, aty ku ndahet cmimi Nobel.  

Në vitin 1974 filloi punën në fabriken e telefonave Eriksson. Gjersa punoi në fabrikën e gomës, letrat për Shqipëri nuk shkonin, dhe ai filloi të shkruante poezi duke shprehur ndjenjat dhe mendimet e tij për vendlindjen. Punoi si mësues i gjuhës shqipe (në vitet 1970-ta)  dhe përkthyes (nga viti 1968, pra plot 56 vite) në Suedi. Ai dhe sot vazhdon të përkthej dhe të ndihmoj shqiptarët të integrohen në Suedi.   

Adil Bicaku arriti të kthehet në Shqipëri pas 28 vitesh, pra në tetor 1991, kur atje erdhi demokracia. Ai ka shkruar edhe shkrime dhe  shumë analiza politike në shtypin shqiptar.  

Atdhetari , miku, modeli i njeriut të mirë dhe fisnik, z. Adil Bicaku nuk është lodhur asnjëherë nga kontributi për atdheun e dashur Shqipërinë, prandaj meriton respektin dhe vlerësimin më të madh dhe prandaj jemi mbledhur ne sot këtu që të nderojmë veprën e tij.

Ju faleminderit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat