Dega e LDK-së e Beneluksit feston “Darkën e Lamës”, në Bruksel

Diaspora

Dega e LDK-së e Beneluksit feston “Darkën e Lamës”, në Bruksel

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 9 dhjetor 2024 Në ora: 10:51
Gazmend Muhaxheri dhe Anton Quni në “Darkën e Lamës”, në Bruksel

 Presidenti Rugova është përkujdesur shumë për ruajtjen e trashëgimisë historike, zakonore, kulturore dhe të traditave të popullit tonë. Në cilësinë e Presidentit të Kosovës, në vitin 2002, porositi kthimin e kremtimit të "Darka e Lamës", duke e ngritur në festë shtetërore. Kjo festë familjare rezulton me korrjet, vjeljet dhe menaxhimin e prodhimeve vjetore, për njerëzit dhe botën shtazore, për dimrin dhe stinët në vijim.

Për Mërgatën shqiptare, porositë e mira të Presidentit Rugova, pas amshimit të Tij, janë kthyer në -amanet-. Edhe pse në mërgimin e largët, pa ato korrje e vjelje të Kosovës, e festojnë "Darkën e Lamës", duke u solidarizuar me familjet dhe popullin në Atdhe. Kjo traditë, për një kohë, në rrethana specifike, është kaluar në heshtje. Me sugjërimin e Presidentit Rugova është ripërtrirë dhe komuniteti shqiptar i kudondodhur, po e praktikon gjithnjë e më shumë.

Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Beneluks, organizoi "Darkën e Lamës", në Bruksel. Sekretari i kësaj Dege, Xhavit Belaj, moderoi kremtimin e kësaj feste të traditës shqiptare. Ai përshëndeti mysafirët e ardhur, enkas, nga Kosova, nënkryetarët e LDK-së, Gazmend Muhaxheri dhe Anton Quni, me bashkëshortën, nënkryetarin e komunës së Pejës, Fatmir Asllani; deputeten e Parlamentit të Brukselit, Kristela Bytyçi; ambasadorin brilant, Ramadan Gashi; kryetarët e Degëve dhe të Nëndegëve të LDK-së nga Gjermania: ish-kryetari i LDK-së, në Gjermani, Osman Ferizin me veprimtarët Xhafer Leci, Ibrahim Rexhaj, Idriz Zeqiraj; kryetarin e Degës Prof. Mutafë Lulaj, sekretarin Agim Aliçkaj, Demë Kelmnedi, Ramë Gashi; kryetarin e Nëndegës me seli në Ludwigshafen Alush Zeqiraj; si dhe të gjithë të pranishmit në sallën festive.

Moderatori Xhavit Belaj, ftoi në skenë heroin e mbijetuar të Luftës së Kosharës, Kolonel Anton Qunin, për fjalën e rastit. Pasi i përshëndeti, me përzemërsi, mërgimtarët, ai bëri një ekspoze përmbajtësore të historikut të festës "Darka e Lamës", si dhe u kujtoi atyre porosinë e Presidentit Rugova, për ruajtjen e traditave, me theks të veçantë, përtëritjen e shënimit të festës domëthënëse të "Darkës së Lamës", porosi kjo e pranuar, lehtësisht, nga shqiptarët në Atdhe, poashtu edhe në Mërgatë.  

Gjithashtu, mërgimtarët pjesëmarrës i përshëndeti kryetari i suksesshëm i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, fitues i tri mandateve zgjedhore radhazi dhe konkurues i sërishëm petencial, për mandatin e katërtë të pritshëm. 

 Fjalë rasti mbajti edhe pjesëtari i Grupit të armatosur luftarak, Osman Ferizi, që hyri në Kosovë, në dhjetor të vitit 1991. Ai foli për rrjedhat e sotme politike dhe bëri thirrje për punë dhe gadishmëri, në shërbim të Atdheut-Kosovë.

Veprimtari veteran, Ramadan Gashi, ambasador i dinjitetshëm, emocionoi të pranishmit me fjalët përkujtuese, për bashkëpunëtorët, tashmë, të amëshuar, luftëtarë të çështjes kombëtare: Enver Hadrin, Ramiz Zekollin, Gani Azemin, të cilët na mungojnë vetëm fizikisht, por, me mendje dhe zemër, janë të pranishëm në festat tona.

Kryesia e LDK-së të Degës të Beneluksit, me seli në Bruksel, e prirë nga kryetari simpatik, Bahtir Kastrati, nga Broja e Drenicës, nënkryetarja Merita Milla, sekretari Xhavit Belaj, anëtarët e Kryesisë: Kristela Bytyçi, Xhevdet Tafilaj, Sherif Zeqiraj, Daut Rabi, Arsim Beqiraj, Fadil Cakutaj, Mentor Lipaj, Hajriz Aliu, Musli Pasjaqa, kryetar i Nëndegës në Holandë, Dinë Rugova kryetar i Nëndegës në Luksenburg, me shokë, përbëjnë një ekip të vyeshëm, aktivistë të dëshmuar ndër vite, të LDK-së dhe të Mërgatës.

Pjesë e kësaj feste ishin edhe veprimtarë të vjetër, të angazhuar në Shoqata e komisione, si në Fondin shtetëror të 3 %-shit si dhe në shumë aksione financiare, për të kontribuar në mbijetesën ekonomike të Kosovës, në mes tyre veteranët Isa Rugova, Ragip Zekolli, vëllai i veprimtarit të devotshëm, Ramiz Zekolli dhe të tjerë.

Image
Kërcimi dhe vallëzimi grupor ishin sharm e hijeshi i "Darkës së Lamës"

Kryetari Bahtir Kastrati falenderoi mysafirët e nderuar nga Kosova dhe vendet e tjera, për pjesëmarrje në gëzimin festiv të Degës së LDK-së për Beneluksin. Bashkëpunimi i harmonishëm, brenda Kryesisë dhe të anëtarësisë, e bëri edhe më të bukur këtë festë të traditës. Pritja e ngrohtë dhe shumë miqësore e mysafirëve, i la në harresë rrugëtimet e gjata dhe të lodhshme nga Kosova apo nga Bavaria gjermane dhe gjetkë. Një kolektiv i harmonishëm që dinë të organizojë dhe të respektojë. Kryetar Kastrati me shokë, ju lumtë!

 Si zakonisht, si melmesë e "Darkës së Lamës" ishte sofra e begatë, me ushqimet e shumëllojshme të kuzhinës burimore shqiptare, të përgaditura nga nuset e vyeshme mërgimtare, si përkujtesë e kësaj feste domëthënëse. Pjesëmarrja masive e botës femërore shqiptare, në aktivitete të ndryshme të Mërgatës, sikur është hakmarrje ndaj normave kanunore, që kanë kufizuar lirinë personale dhe grupore të femrave shqiptare, ndër dekada e shekuj, të gruas-nënë, krijuese e njerëzimit. "Pa emancipimin e burrit, nuk ka emancipim të gruas", - thërriste, ngulmueshëm, Sami Frashëri ynë.

Këngëtari i mirënjohur, Mehdi Berisha, ka veçantinë e rrallë, ngaqë këndon natyrshëm dhe nuk shpërfaqë asnjë shenjë sforcimi e lodhje, edhe atëherë kur qëndon gjatë në skenë. Orkestra shoqëruese ishte në pajtueshmëri me mjedisin, duke shmangur zhurmimin e panevojshëm. Zëri-pushkë i mjeshtrit të këngës, Mehdi Berisha, la pa gjumë shumë njerëz, përgjatë asaj nate festive. Kërcimi dhe vallëzimi, individual e grupor, ishte në harmoni ideale me orkestrimin. Vëmendje mori nusja elegante e Kolonel Anton Qunit, në ekzekutimin e valleve shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat