Kush e vrau Sonilën? Prokurorja italiane: U detyrua të vetëvritej, bashkëshorti është i dyshuar

Diaspora

Kush e vrau Sonilën? Prokurorja italiane: U detyrua të vetëvritej, bashkëshorti është i dyshuar

Më: 10 dhjetor 2024 Në ora: 15:38
Foto ilustrim

Pas më shumë se 3 vitesh nga vrasja e 21-vjeçares Sonila Cani në Torino të Italisë, autoritetet italiane kanë zhvillime të reja në lidhje me këtë dosje.

Hetimi i udhëhequr nga prokurorja Valentina Sellaroli ka nxjerrë në dritë një grup shqiptar të përfshirë në rrjetin e prostitucionit.

Dyshimet e ngritura që prej fillimit se Sonila ishte shtyrë drejt vetëvrasjes dhe jo ta ndërmerrte këtë akt pa asnjë shkak, tashmë janë sqaruar.

Prestigjiozja italiane “La Stampa” ka mësuar përmes burimeve se prokurorja e çështjes ka dalë në konkluzion se konteksti në të cilën ndodhi ngjarja tashmë është i qartë. Sonila ishte shtyrë të kryente vetëvrasje. Këtë e ka konfirmuar edhe gjyqtarja e dosjes, Francesca Pani, që ka pranuar pjesërisht kërkesën e prokurores.

Kështu, në kuadër të grupit shqiptar të përfshirë në prostitucion të zbuluar nga hetimet së fundmi, gjykata caktoi 5 masa sigurimi, nga 16 persona të dyshuar që po hetohen për shfrytëzim prostitucioni dhe krime të tjera si grabitje, emigracion i paligjshëm etj.

Mes personave të dyshuar është edhe vetë bashkëshorti i Sonila Canit, Kreshnik Cani, me të cilin ka një djalë. Kreshnik Cani po hetohet nga Prokuroria e Torinos për nxitje drejt vetëvrasjes dhe shfrytëzimit të prostitucionit. Kreshnik Cani u hetua edhe nga Prokuroria e Beratit pas një kallëzimi që bënë prindërit e Sonilës për shfrytëzimin e vajzës së tyre.

Zbulimi i grupit kriminal shqiptar, citon La Stampa, u ndihmua edhe me hetimet për vdekjen e Sonilës, ku u analizuan fakte, rrethana dhe dëshmi. Bëhet fjalë për shfrytëzimin për prostitucion të vajzave shqiptare në Torino të Italisë.

(Vetë)vrasja e Sonilës në Torino është trajtuar gjerësisht nga emisioni Uniko në Klan Plus nga gazetari Spartak Koka. Përmes investigimit por dhe dëshmisë ekskluzive të dhënë nga vetë Kreshnik Cani, u zbulua se Sonila ishte shfrytëzuar për prostitucion. Kreshnik Cani pranoi publikisht në intervistë se kishte shfrytëzuar seksualisht bashkëshorten e tij, por mohoi që ta kishte shtyrë në vetëvrasje dhe bënte rolin e të paditurit fillimisht për arsyet pse Sonila kreu atë akt.Edhe dëshmitë kontradiktore që dha para hetuesve italianë, bënë që Kreshnik Cani të ishte gjatë gjithë kohës i dyshuar në sytë e tyre.

Prokuroria e Torinos, siç raporton “Corriere”, zbuloi një grup kriminal që shfrytëzonte për prostitucion vajza shqiptare në disa zona të ndryshme. Hetimi për këtë grup nisi pas grabitjes së një prostitute shqiptare në Maj 2022, që zbuloi më pas një rrjet të strukturuar.

Sipas Prokurorisë së Torinos, vajzat shqiptare që shfrytëzoheshin, detyroheshin që t’ua dorëzonin tutorëve të gjitha të ardhurat financiare dhe mbaheshin në kushte të nënshtrimit total përmes presionit psikologjik dhe nëpërmjet lidhjeve sentimentale të gënjeshtërta, siç mund të ishte edhe rasti i Sonilës nga aq sa kanë provuar deri më tani hetuesit italianë. Për këtë arsye, bashkëshorti i Sonilës, Kreshnik Cani, është një nga 16 të dyshuarit për vdekjen e saj.

Sonila Cani 21 vjeç u gjet e pajetë e vetëvarur në tualetin e banesës së saj në Torino ku jetonte me bashkëshortin Kreshnikun dhe djalin e mitur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat