Polici shqiptar në Itali kthehet në hero, shpëton gruan e moshuar të ngecur në makinën e përmbysur

Diaspora

Polici shqiptar në Itali kthehet në hero, shpëton gruan e moshuar të ngecur në makinën e përmbysur

Më: 10 dhjetor 2024 Në ora: 20:47
Polici

Rreth orës 13:30 të së hënës së 9 dhjetorit polici Idajet Hasa po kthehej në Romë nga fundjava me familjen në Melfi (Potenza). Oficeri pa një makinë të përmbysur në autostradë, afër Santa Maria capua Vetere (Caserta). Ai nuk e mendoi për asnjë moment, tërhiqet duke bllokuar korsinë e mjeteve të tjera që vinin përballë për të shmangur aksidentet e mëtejshme dhe nxiton për ndihmë.

Shoferi në panik, nëna e tij mbeti e bllokuar në makinë

Polici Idajet Hasa gjen një burrë pranë makinës i cili është në një gjendje konfuze. Ai nuk mund të shpjegojë se çfarë ka ndodhur, është në panik, nëna e tij është bllokuar në mjet nga airbagu. Polici shkon për të ndihmuar zonjën dhe bashkë me të edhe shoferë të tjerë që ndalojnë për të ndihmuar. Ndërkohë janë njoftuar policia rrugore, zjarrfikësja dhe shërbimet mjekësore. Idajeti i afrohet gruas dhe e qetëson se gjithçka do të jetë mirë dhe ai do të qëndrojë me të derisa ajo të zbresë nga makina.

Shpëton gruan nga makina e përmbysur në mes të autostradës

Oficeri sigurohet që gruaja të mos ketë fraktura dhe në atë moment e merr për krahu dhe arrin ta nxjerrë jashtë. Më pas vjen ndihma mjekësore dhe Idajeti e shoqëron zonjën në ambulancë, e cila tashmë e qetësuar, i jep një gjysmë buzëqeshje. Gjithçka përfundoi mirë, falë shpejtësisë së Idajet Hasës, oficerit jashtë detyrës nga komisariati Cristoforo Colombo, i cili u soll si hero duke nderuar uniformën e karabinierëve.

Reagon ministri i Brendshëm italian

Ministri i Brendshëm italian Matteo Piantedosi ka publikuar rastin, duke thënë se polici shqiptar është treguar një hero dhe ka nderuar uniformën e policëve.

“Polici po kthehej në Romë përgjatë autostradës A1 kur pa një automjet të përmbysur të rrethuar nga tymi. Brenda kabinës së pasagjerëve ndodhej një zonjë e moshuar, e bllokuar nga shpërthimi i airbag. Pa hezituar, Idajeti, një polic i komisariatit të Colombos, e ndihmoi të dilte nga automjeti, duke e qetësuar derisa ambulanca mbërriti në vend. Një gjest që më shumë se shumë fjalë dëshmon për vlerat e solidaritetit dhe bujarisë që gjallërojnë gratë dhe burrat e organeve tona ligjzbatuese!”, shkruan ministri italian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat