Një shqiptar i identifikuar si Mustafa Xhaferaj u dënua me 15 vjet burg nga një gjykatës në Svendborg të Danimarkës, për shkak se pranoi një ngarkesë prej më shumë se 500kg kokainë në Langeland këtë verë.
27-vjeçari është një nga personat që policia arrestoi në fund të gushtit. Gjashtë persona dyshohet se kanë pasur rol në marrjen e sasisë së madhe, e cila peshonte 578 kilogramë.
Fillimisht, vlerësimi i autoriteteve ishte se 700 kilogramë ishin hedhur në ujërat në Langeland. Substanca duhej të sillej në Lohals Camping.
Shqiptari tha në seancën gjyqësore të së mërkurës se në Belgjikë kishte rënë dakord të bënte një punë në Danimarkë, ku duhej të pranonte disa “mallra”.
Prokurorja speciale Annika Jensen deklaron se gjykata i ka dhënë 27-vjeçarit një zbritje të caktuar në dënim, që përndryshe do të ishte 17 deri në 18 vjet. Zbutja është për shkak të rolit vartës të shqiptarit dhe faktit që ai ka zgjedhur të rrëfehet.