“E kam me nxitim!”- Nervozizmi ‘tradhton’ shqiptarin në Itali, policia i gjen në makinë kokainë të pastër!

Diaspora

“E kam me nxitim!”- Nervozizmi ‘tradhton’ shqiptarin në Itali, policia i gjen në makinë kokainë të pastër!

Më: 3 korrik 2025 Në ora: 18:32
Foto ilustrim

Një operacion i karabinierëve në lagjen Navile në Itali, ka përfunduar me arrestimin e një 34-vjeçari shqiptar dhe sekuestrimin e rreth 1 kilogrami kokainë.

Personi, banues në rajonin e Foggias në Itali, u ndalua gjatë një kontrolli rrugor në rrugën Marcantonio Franceschini dhe u gjet me një sasi të konsiderueshme lënde narkotike.

Sipas informacionit nga karabinierët, gjatë patrullimit, efektivët vunë re një makinë Audi A4 Avant që drejtohej nga një person me sjellje të dyshimtë.

Në momentin që iu kërkua të ndalonte, shqiptari 34-vjeçar tregoi nervozizëm dhe deklaroi se ishte me nxitim. Ky qëndrim ngjalli dyshime tek karabinierët, të cilët nisën kontrollin e tij personal dhe të automjetit në detaje.

Gjatë kontrollit, nën sediljen e përparme të pasagjerit, u gjet një paketë me lëndë narkotike, që analizat paraprake konfirmuan si kokainë. Sasia totale e drogës ishte rreth 1 kilogram, çka sugjeron se do të shpërndahej në tregun lokal të drogës.

I dyshuari u arrestua menjëherë me akuzën e mbajtjes së lëndëve narkotike me qëllim shitjeje. Me urdhër të Prokurorisë së Bolonjës, ai u dërgua në burg dhe mbetet nën përgjegjësinë e autoriteteve, duke pritur zhvillimet e mëtejshme të hetimeve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat