Shqiptarët në shënjestër të autoriteteve, The Sun: Pesë shqiptarë burgosen çdo ditë në Britaninë e Madhe!

Diaspora

Shqiptarët në shënjestër të autoriteteve, The Sun: Pesë shqiptarë burgosen çdo ditë në Britaninë e Madhe!

Më: 5 prill 2026 Në ora: 12:19
Foto ilustrim

Një investigim i medias britanike The Sun tregon se çdo ditë në Mbretërinë e Bashkuar dënohen mesatarisht rreth pesë shtetas shqiptarë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, gjatë një viti deri në shtatorin e kaluar, 1,865 shqiptarë janë dërguar në burg.

Shqiptarët përbëjnë grupin më të madh të të huajve në burgjet britanike, rreth 9% e totalit të të burgosurve.

Vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, 58 shqiptarë janë dënuar me të paktën një vit burg, për vepra që lidhen kryesisht me trafik droge dhe trafikim personash.

Sipas ligjit britanik, të huajt që dënohen me mbi 12 muaj burg përballen automatikisht me dëbim pas përfundimit të dënimit.

Ndërkohë, po diskutohen ndryshime ligjore që mund të lejojnë deportimin edhe më herët, pas vuajtjes së një pjese më të vogël të dënimit.

Që nga zgjedhjet e vitit 2024, autoritetet britanike kanë larguar ose deportuar mbi 58,500 emigrantë të paligjshëm dhe të huaj të dënuar.

Mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar ekziston edhe një marrëveshje për transferimin e të burgosurve, që lejon kthimin në Shqipëri të atyre që janë dënuar me më shumë se katër vite burg për të vuajtur dënimin në vendin e tyre.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat