Një 40-vjeçar shqiptar është dëbuar me urgjencë nga Italia, pasi është cilësuar si person me rrezikshmëri të lartë.
Sipas autoriteteve italiane, ai kishte një dosje të pasur kriminale dhe ishte dënuar me 7 vite e 9 muaj burg për një sërë veprash penale, mes të cilave vjedhje, grabitje, sulm dhe trafik droge. Pavarësisht se ishte ende duke vuajtur dënimin, është vendosur riatdhesimi i menjëhershëm i tij.
Sipas raportimeve, ditët e fundit, 40-vjeçari u mor nga burgu “Barcaglione” në Ankona dhe u transferua nga Policia në pikën kufitare ajrore të Falconara Marittima, nga ku u deportua drejt Shqipërisë pa pritur përfundimin e plotë të dënimit.
Përveç dëbimit, ndaj tij është vendosur edhe masa ndaluese për rihyrje në Itali për një periudhë prej pesë vitesh. Autoritetet paralajmërojnë se çdo shkelje e këtij ndalimi do të sjellë arrestim të menjëhershëm.
Shefi i Policisë së Ankonës deklaroi se: "Largimi fizik i shtetasve të huaj që janë banorë të paligjshëm dhe përbëjnë kërcënim për rendin dhe sigurinë publike nga territori ynë i pengon ata të qëndrojnë ilegalisht dhe të kryejnë krime të ndryshme.
Policia e Shtetit mbetet shumë vigjilente në luftën kundër imigracionit të paligjshëm, veçanërisht atyre që janë të rrezikshëm, që banojnë ilegalisht në territorin tonë dhe janë të aftë të prishin seriozisht rendin dhe sigurinë publike”.