Ali Demi nuk lindi hero. Ai e shkroi heroizmin dhe pavdekësinë me gjakun e tij të kuq për lirinë e Shqipërisë dhe të Çamërisë. Tek heroizmi, nuk e çoi rastësia, apo instinkti, por vetëdija e lartë e sakrificës për një çështje të madhe, siç ishte çlirimi i vendit nga pushtuesit. Ali Demi i përket brezit të ëndërrimtarëve, që ruanin energji të pashtershme në luftën për liri dhe përparim shoqëror, si: Qemal Stafa, Vasil Shanto, Vojo Kushi, Misto Mame, Perlat Rexhepi, Asim Zenel, të cilët, që në vitin 1945 ishin ndër të parët, që u nderuan me titullin e lartë “Hero i Popullit”, për t’u bërë të pavdekshëm në altarin e lirisë.
Për këtë figurë të rrallë të Luftës Antifashiste NacionalÇlirimtare, është folur dhe shkruar shumë. Ka pasur dhe mendime kontradiktore, për t’ia ulur vlerat, por nuk kanë mundur dot, pasi akti dhe vepra e tij është e pashembullt. Një nga librat më të bukura, me protagonist kryesor heroin Ali Demi, është ai me titullin kuptimplotë “Pranvera dy hapa pranë”, shkruar me vërtetësi, pasion e dashuri nga Luan Rama. Para se t’i analizojmë të gjitha ngjarjet që lidhen me jetën dhe veprimtarinë e gjerë luftarake të Heroit të Popullit Ali Demi, po ndalemi shkurtimisht në momentet kryesore të jetës dhe akteve të tij heroike: Ali Demi lindi më 18 janar të vitit 1918 në Filat të Çamërisë.
Vitet e para të shkollimit, ai i kreu në vendlindje. Në vitin 1927, për të mësuar gjuhën amtare, vjen në konviktin “Çamëria” të Sarandës. Gjimnazin e nisi në vitin 1932, të cilin e vazhdoi për 4 vite me radhë. Atje, djaloshi Ali Demi bie në kontakt me literaturën revolucionare të kohës. Krijon shoqatat “Skënderbeu” dhe “Qepa”, si dhe gazetën me të njëjtin emër. Pas Kryengritjes së Fierit, bashkë me Themo Vasin dhe Njazi Demin organizuan revoltën e nxënësve për kushtet e këqija të jetesës. Prandaj, Ministria e Arsimit, Aliun dhe disa shokë të tij i përjashtoi nga shkolla. I mbetur pa shkollë, vjen në Tiranë për të vazhduar gjimnazin, ku njihet dhe me Qemal Stafën e Vasil Shanton, duke u bërë dhe anëtar i Grupit të Shkodrës. Me mbarimin e gjimnazit, fillon punën në Postë-Telegrafën e Tiranës, ku drejton dhe një celulë. Në këtë kohë Aliu ishte bërë një nga 200 komunistët e parë. Në këtë kohë, ai organizon protestën e parë të punëtorëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Post-Telegrafës së Tiranës, ku bie në sy si antifashist i egër. Me fillimin e Luftës Italo-Greke, bëhet pjesë e batalionit shqiptar “Tomorri”.
Kthehet në Filat për të parë vendlindjen dhe njerëzit e shtëpisë, por rikthehet në Tiranë, duke fshehur armët në shtëpinë e Bije Vokshit. Në vitin 1942, sjell familjen e tij në Shtëpinë me nr. 66, në Rrugën e Shëngjergjit. Më 7 Prill të vitit 1942, Aliu do të bëhet organizator i manifestit antifashist të Tiranës. Por, më 18 prill të këtij viti arrestohet e torturohet nga Kuestura. Në këtë kohë, autoritetet italiane këmbëngulnin që ta internonin në kampet e ishujve italianë. Burgoset dhe dënohet me 23 vite heqje lirie. Por Ali Demi edhe në burg nuk qëndroi duarlidhur. Atje organizoi protesta dhe grevën e urisë kundër internimit të të burgosurve politikë në ishujt e Italisë. Më pas, bashkë me shokët, do të organizojë hapjen e kanalit të nëndheshëm të burgut për arratisjen e luftëtarëve të lirisë. Pas dështimit të përpjekjes së parë, më 29 prill të vitit 1943, të dënuarit, arratisen prej burgut. Në këtë kohë, një jetë e re plot vrull e ëndrra të reja nisi të shpaloset para revolucionarit të pathyeshëm Ali Demi. Është koha, kur ai zgjidhet komisar i Batalionit “Çermenika” dhe ndihmon për shtrirjen e Këshillave Çlirimtare në krahinën e Oparit dhe Zaranikut. Në vitin 1943, duke përshkuar malet e Çermenikës, mbërrin në Vlorë, ku e pret një luftë e ashpër për liri. Aty caktohet sekretar organizativ dhe më pas sekretar politik i Qarkut të Vlorës. Më 19 dhjetor të vitit 1943, Ali Demi, bashkë me dy shokët e tij rrethohen në Kaninë nga nacionalistët, të mbështetur nga gjermanët.
Pas vrasjes së Pano Dhimgjokës, ai çan rrethimin, fsheh shokun e plagosur, por, në përpjekje për t’u larguar qëllohet pas shpine nga gryka e një mitralozi, që mbillte vdekje pa pushim në moshën më të bukur, 25-vjeçare, në kohën kur, siç shkruan autori i këtij libri, Luan Rama, “Pranvera e lirisë ishte vetëm dy hapa pranë”. Shembulli heroik i Ali Demit do të frymëzonte edhe shumë çamë, të cilët për çlirimin e Çamërisë nga pushtuesit do të krijonin Çetën “Çamëria”. Ndërsa shumë pranë vitit 1944, 500 djem çamë do të bashkoheshin për krijonin e Batalionit IV me emrin “Ali Demi”, i cili më vonë do të bëhej pjesë e Regjimentit XV të ushtrisë Nacional-Çlirimtare Greke kundër pushtuesit. Më 5 korrik të vitit 1945, nga Këshilli i Përgjithshëm Nacional Çlirimtar i Shqipërisë, Ali Demi u shpall “Hero Kombëtar”, me motivacionin: “Udhëheqës dhe luftëtar i palodhur dhe shembull heroizmi gjatë Luftës Çlirimtare…”. Më pas Presidiumi i dhuroi disa Urdhra dhe Medalje. Emrin e tij edhe sot e mbajnë disa shkolla, rrugë, sheshe dhe lagje në Tiranë e Vlorë. Lavdia e tij është përjetësuar edhe në disa buste e këngë të tilla:’’Ali Demi, vetëtima/ O trimi mbi shumë trima/ Të kish rritur varfëria/ Të dha sisë Çamëria’’.
Po, le të rikthehemi edhe një herë në gjurmët e ngjarjeve të shumta të Luftës Nacional-Çlirimtare, të cilat janë bërë objekti kryesor i librit, sa historik, aq dhe artistik, me titullin metaforik ‘’ Pranvera, dy hapa pranë’’, titulli që është marrë nga filmi dokumentar i realizuar bukur nga Luan Rama, ku si protagonist i ngjarjeve bëhet luftëtari i lirisë Ali Demi. Në pranverën e vitit 1943, i dënuar me vdekje, ai mundi të arratisej për të vazhduar luftën për liri. Kishte kohë që digjej nga malli për të parë Filatin dhe njerëzit e shtëpisë, po në të vërtetë zgjodhi rrugën e luftës për çlirimin e Shqipërisë dhe të Filatit nga pushtuesit. Aliu rridhte nga një fis luftëtarësh, që bënë gjithçka për lirinë e Çamërisë. Ai erdhi në jetë në vitet më të zymta për Çamërinë dhe Shqipërinë. Si të mos mjaftonte varfëria e tejskajshme, u desh dhe Traktati i Fshehtë i Londrës, i cili, me vendimet e mbrapshta, kafshoi më tej trojet e shqiptare, duke i detyruar çamët të merrnin arratinë drejt Sarandës dhe Vlorës. Këtë udhë mori dhe Aliu i vogël.
Ai erdhi për t’u arsimuar në konviktin e Sarandës. Që në moshën e mitur, Aliu tregonte se kishte një shpirt të thellë revolte. Ditën e Pavarësisë, për të protestuar për kushtet e vështira të jetesës në konvikt ai, bashkë me shokët e tij, u vesh kuq e zi. Shoku i tij më i afërt ishte Themo Vasi, ndërsa mësuesit që pëlqente më shumë ishin Thoma Papapano dhe Lame Xhama. Krenaria e tij ishin figurat atdhetare si Çerçis Topulli dhe Hodo Aliu. Kudo që shkonte qëndronte në ballë të protestive. Pas arratisjes nga burgu, ai do të regjistrohet në gjimnazin e Tiranës, të cilën do ta quante “shkolla që i mësoi artin e revolucionit”. Ishin vitet 1936-37, tregon Kristo Frashëri, kur Aliu bashkë me Q, Stafën, Th. Vasin, Xh. Dellin, u bënë promotorë të veprimtarisë revolucionare të shoqatës “Fryma e re”. Dita e 7 Prillit të vitit 1939, ashtu si për gjithë popullin shqiptar, edhe për Ali Demin, ishte dita më e trishtë. Kudo gjëmonte mallkimi dhe zemërimi i protestuesve, gjë që shprehej me fjalët: Si mund të luftohet armiku pa armë? Ishte momenti, kur Mbreti, mbasi kishte fshehur armët, ia kishte mbathur për të shpëtuar kokën e tij. Në 28 nëntorin e këtij viti të vështirë, Aliun e gjejmë mes studentëve protestues kundër pushtimit fashist. Shtatori i vitit 1940 është koha kur Italia Fashiste kërcënon Greqinë për ta sulmuar. Aliu ndiqte me vëmendje ngjarjet e frontit. Me pushtimin e Çamërisë, ushtria greke filloi reprezaljet ndaj popullit të pafajshëm çam. Aliu ishte i tronditur edhe për familjen e tij. Ushtria greke, tashmë ishte tërhequr nga trojet shqiptare të ashtuquajtur, Vorioepir. Ishte koha kur shkollat shqipe u mbyllën të gjitha. Në këtë kohë Ali Demi bëhet pjesë e Grupit Komunist të Shkodrës. Në ditën e Pavarësisë së vitit 1941, Aliu, në përbërje të një grupi të madh studentësh, organizuan një protestë kundër Duçes, që me egërsinë e tij, u shfaqej edhe në ëndërr. Tashmë, i strehuar në Shtëpinë me nr.66, bën një jetë më revolucionare. Këtu u njoh nga afër, jo vetëm me shumë luftëtarë, por dhe me Enver Hoxhën.
Ali Demi po bëhej promotor i shumë aksioneve politike e luftarake antifashiste. Ishte ai, që organizoi protestën e punëtorëve të Postës. Në këtë kohë pati dhe një debat të drejtpërdrejtë me Kryeministrin Mustafa Kruja. Në shkurt të vitit 1942 familja e Aliut u nis për të jetuar në Tiranë. Babai i tij e kuptonte, se Greqia nuk mund të jetonte dot në paqe me çamët. Ditët e para të prillit të vitit 1942, në Tiranë u organizua një atentat kundër Mustafa Krujës. Një prej atentatorëve më të fuqishëm ishte Ali Demi. Ndaj, më 17 prill, Kuestura lëshonte këtë urdhër:”Nëpusësi i Post-Telegrafës, Ali Demi, të arrestohet dhe të internohet në Itali”. Më pas ai do të akuzohej edhe për veprimtari subversive, shpërndarje traktesh dhe për propagandë të gjerë revolucionare.
Kur u vranë shokët e tij të luftës, Branko Kadia dhe Perlat Rexhepi, ai ishte në burg. Për të shprehur dashurinë dhe dhimbjen për vrasjen e tyre, nga burgu shkroi vargjet: “Në jetë e varr, kudo ju kam ndjekur/Me ju kam rrojtur me ju kam vdekur”. Përpjekjet e fashistëve për internimin e Aliut dhe të shokëve të tij në ishujt e Italisë u shoqëruan me protesta të fuqishme popullore, të cilat u shoqëruan me thirrjen e fuqishme: “Jashtë fashistët nga Shqipëria!” Turmat e protestuesve u egërsuan më shumë, kur panë të vrarë Heroinën Mine Peza. Në mars të vitit 1943 Kuestura kërkoi pushkatimin pa gjyq të 7 luftëtarëve të lirisë, mes tyre dhe të Ali Demit. Në këtë kohë Qarkori i Tiranës i bëri thirrje gjithë popullit për forcimin e rezistencës. Por rezistenca më e fuqishme u bë në burgun e Tiranës. Kjo e bëri kryeministrin Mustafa Kruja të thotë: “Këtu paska dy qeveri, njërën e kemi ne, tjetrën e paska burgu i Tiranës”.
Të burgosurit politikë të Tiranës kishin kohë që përgatiteshin të arratiseshin nga burgu. Ajo ditë e bukur lirie ishte e enjtja e 29 prillit, të vitit 1943, kur përmes tunelit të nëndheshëm të hapur nga vetë të burgosurit, dolën prej errësirës së vdekjes 27 luftëtarë të lirisë, mes tyre: K. Xoxe, A. Demi, S. Vullkani, M. Kallamata… Atë ditë Aliu, i sapo dalë nga errësira e burgut i shkruan nënës së tij këto fjalë: “Tani jam i lirë. Do të kthehem së shpejti. Çlirimi është afër”. Pas arratisjes, Aliu me shokët u nis drejt Orenjës, ku do të formohej Batalioni i Çermenikës me komisar Ali Demin. Më pas ai do të merrte udhën drejt Labinotit, ku u krijua Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Këtu ai pati rastin të takohej edhe me E. Hoxhën e S. Mojsiun. Prej këtej, Aliu do të nisej për në Vlorë, ku ngarkohet me detyrën e sekretarit politik të Komitetit Qarkor të Vlorës. Në kujtimet e tij Gjenerali Rrahman Parllaku shkruan: “Ali Demi ishte një njeri i thjeshtë dhe luftëtar i zoti, që nuk imponohej kurrë. Me Aliun mund të bisedohej lirshëm”. Edhe pse Ali Demi ishte përkushtuar ndaj Luftës për çlirimin e Shqipërisë, mendja i shkonte tek Çamëria. Çdo të bëhej, vallë pas luftës, me vendlindjen e tij, që e donte aq shumë!? Ishte koha kur ishte krijuar Batalioni “Çamëria”, që vepronte në të dy anët e kufirit greko-shqiptar.
Kush e vrau Ali Demin?
Ja si e përshkruan këtë çast të trishtë Luan Rama në librin “Pranvera, dy hapa pranë” nëpërmjet gojës së Dhimitër Mandros, dëshmitarit të vetëm të kësaj ngjarje të trishtë: “Atë mbrëmje bëmë një mbledhje në një shtëpi bazë, ku Aliu foli gjatë për situatën e luftës. Pastaj ramë të flinim. Pa zbardhur mirë dëgjuam trokitje në dritare. Dikush na njoftoi se ishim të rrethuar. Aliu dhe Pano morën automatikët dhe nxituan drejt malit që t’i largoheshin Kaninës. Por, pas pak një zë thirri: Ndal! Dorëzohuni! Jeni të rrethuar! Thirrjet për t’u dorëzuar vazhduan, por luftëtarët shpejtuan të çanin rrethimin. Kur Aliu pa se unë isha plagosur, më tha: “Mbahu dhe pak Miti! Do të fsheh këtu.
Në mbrëmje do të dërgoj shokët të marrin”, – kështu tha dhe u largua si era. Por, kur Aliu mendonte, se e kishte kapërcyer rrethimin, aty te Kodra e Dheut të Bardhë, një breshëri mitralozi shkrehet pabesisht mbi trupin e tij. Gjermanët kishin zënë të gjitha shtigjet. Nga ky çast, çdo gjë heshti, ndërsa vrasësi i vërtetë fshehu duart e lyera me gjakun e luftëtarit të lirisë”. Kurse xha Sadiku nga Kanina, i cili kishte përjetuar atë ngjarje të dhjetorit të vitit 1943, tregon: “Mbaj mend, kur trupin e Aliut e sollën dhe e vunë buzë rrugës së fshatit. Njerëzit të habitur pyesnin njeri-tjetrin, se kush ishte ky njeri i vrarë. Pas pak dikush iu afrua dhe i rrëmbeu çizmet që mbante veshur. Pas pak një tjetër, mbasi e njohu kush ishte, i tha tjetrit që kishte në krah: Ndihmomë ta marrim. Duhet ta varrosim si i ka hije zakonit shqiptar. Dhe bashkë me një njeriun e tij, e mori dhe e varrosi Aliun me nderimet e duhura”. Ditën e vrasjes së këtij luftëtari të lirisë doli trakti me titullin e trishtë: “Ali Demi bie dëshmor në tokën e Vlorës.
Më 20 dhjetor 1943 ai u rrethua tradhtisht në fshatin Kaninë nga 500 gjermanë e nacionalistë dhe pasi e çau rrethimin 2 herë vritet barbarisht, por kurrë nuk u gjunjëzua. Aliu fali jetën për Shqipërinë dhe vendlindjen e tij Çamërinë”. Për vdekjen burrërore të Ali Demit, në kujtimet e tij, shkruan dhe shoku i tij i hershëm dhe shkrimtari Qamil Buxheli, i cili thekson se Aliu vdiq, ashtu si i ka hije një atdhetari të rrallë. Disa ditë më vonë një grua vajtonte, duke cituar nëpër gojë vargjet’’ Ti Çamëri, veshur në zi/ Me gjakun e Aliut, kërkon liri”. Prandaj, emri i tij mbeti i gjallë, jo vetëm në zemrat e njerëzve dhe në këngët e popullit, por dhe në emrat e formacioneve ushtarake të Luftës së popullit shqiptar dhe Çamërisë. Ali Demi kishte shpresuar se Lufta Nacional-Çlirimtare, bashkë me çështjen e lirisë së Shqipërisë do të zgjidhte dhe çështjen e lirisë së vërtetë të Çamërisë. Por, fatkeqësisht, nuk ndodhi kështu. Në qershor të vitit 1944, me largimin e pushtuesit gjerman, Napolon Zerva, edhe pse me origjinë të hershme shqiptare, nisi masakrat ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë. Në Filat, mes viteve 1944-45, u dëbuan e masakruan mijëra çamë, për fajin e vetëm, se ishin shqiptarë. Një spastrim dhe gjenocid i pashembullt është përjetësuar edhe në vargjet popullore: “Pashë Çamërinë, djegur bërë hi/ Grat’ e Çamërisë me foshnje në gji/ Nisën rrugën drejt, o për Shqipëri”.
Ali Demi, heroi i revoltës
Ali Demi, ndryshe është quajtur “Heroi i revoltës”. Ai, kudo që mësoi, punoi dhe luftoi, shquhej për revoltën e gjallë kundër padrejtësisë dhe pabarazisë shoqërore. Revoltat dhe protestat do ta ndiqnin atë, tërë jetën: në konviktin dhe shkollën e Sarandës e të Gjirokastrës dhe në gjimnazin e Tiranës. Në Post-Telegrafë si punonjës i saj provizor, në burgun e Tiranës dhe kudo që i shkeli këmba. Në protesta, kundërshtime e demonstrata kundër pushtueseve dhe idesë së copëtimit të kombit. Me protesta, greva urie e deri në arratisje të guximshme nga burgu, e kaloi tërë jetën luftëtari i lirisë Ali Demi, deri në çastin kur u vra pabesisht nga pushtuesit dhe mercenarët e tyre.
Në asnjë çast, ai nuk u gjunjëzua kurrë, as para prangave dhe as para grykës së pushkës së armikut. Por, shtrohet pyetja: Si do të reagonte rebeli Ali Demi, nëse do të ishte gjallë në sistemin monist? Ç’qëndrim do të mbante ndaj vrasjeve sektare të njerëzve të pafajshëm gjatë dhe pas Luftës nga drejtuesit e udhëheqësit e atij sistemi, të cilët njerëzit idealistë si Ali Demi i besuan me sinqeritetin e tyre të rrallë?! Si do ta ndjente veten, kur të merrte vesh se ai pushtet, që doli nga Lufta, një ditë do të merrte vesh syrgjynosjen dhe margjinalizimin e disa bijve të fisit Demi, shumë prej të cilëve luftuan për lirinë e Atdheut!? Me siguri, ai do të revoltoj, sepse ëndrra e tij më e madhe ishte liria dhe demokracia e vërtetë. E, megjithatë, shkruan autori i librit Luan Rama, i cili është dhe nipi i Heroit, gjaku i Ali Demit nuk shkoi kot. Nuk ka se si mohohet ajo luftë e madhe për lirinë e vendit. Nuk ka se si të harrohen, dhe aq më keq të përbuzen ata luftëtarë të lirisë që derdhën gjakun për lirinë e Atdheut. Prandaj, po e mbyll këtë shkrim me këtë sentencë kuptimplote të Skënder Luarasit: “Nëse bota, heronjtë i nxjerr nga dheu, ne i kemi mes nesh dhe i bëjmë me baltë”.