Protesta e të pastrehëve, përfaqësues të 135 familjeve në Durrës kërkojnë zgjidhje

Durrësi

Protesta e të pastrehëve, përfaqësues të 135 familjeve në Durrës kërkojnë zgjidhje

Më: 10 dhjetor 2024 Në ora: 15:36
Protesta e të pastrehëve

Përfaqësues të 135 familjeve të dëmtuara nga tërmeti në Durrës protestuan sot para bashkisë, duke kërkuar një zgjidhje të menjëhershme për strehimin e tyre.

Pas pesë vitesh pritjeje për të hyrë në shtëpitë e reja të ndërtuara në kuadër të programit të Rindërtimit, banorët vazhdojnë të përballen me vonesa dhe mungesë transparence.

Megjithëse ata kanë marrë çelësat e apartamenteve që në qershor të këtij viti, nuk kanë mundur ende të hyjnë në banesat e tyre për shkak të mungesës së kushteve bazë, si furnizimi me ujë dhe energji elektrike.

Të zhgënjyer nga mungesa e komunikimit të hapur mes bashkisë dhe firmës së ndërtimit, banorët ngritën zërin publikisht, duke kërkuar zgjidhje konkrete.

Ata theksuan nevojën urgjente për pajisjen e kompleksit të përfunduar të pallateve në lagjen 17, në hyrje të qytetit bregdetar, me shërbime bazë si uji dhe dritat.

Protesta nxori në pah shqetësimet e këtyre familjeve, të cilat prej vitesh jetojnë me qira dhe premtime të pambajtura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat