Në kuadër të platformës “Biznesi Im”, debatohet edukimi financiar për ndërmarrësit

Ekonomi

Në kuadër të platformës “Biznesi Im”, debatohet edukimi financiar për ndërmarrësit

Më: 5 nëntor 2024 Në ora: 12:46
Foto nga vendi i ngjarjes

Është mbajtur të mërkurën në Prizren, Punëtoria për Edukimin Financiar për Ndërmarrësit, një aktivitet kyç që synon të rrisë aftësitë financiare të ndërmarrësve kosovarë, veçanërisht të bizneseve të vogla dhe të mesme.

Kjo ngjarje u organizua në kuadër të platformës “Biznesi Im”, me mbështetjen e projektit EnInGeP, në bashkëpunim me Raiffeisen Bank Kosovo dhe KIESA.

Hamz Morina, nga projektit EnInGeP, theksoi rëndësinë e zhvillimit të aftësive financiare në mesin e ndërmarrësve për rritjen e qëndrueshmërisë dhe zhvillimin ekonomik të bizneseve në Kosovë.

Ai vuri theksin te roli kyc që kjo punëtori luan në përmirësimin e aftësive të pjesëmarrësve, veçanërisht të bizneseve të udhëhequra nga gratë, duke ofruar njohuri praktike për menaxhimin financiar dhe qasjen në financim.

Aktivitetet që synojnë rritjen e konkurrencës së ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme të Kosovës. Kjo bëhet përmes ofrimit të shërbimeve përkatëse, por edhe digjitalizimit të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme. Projekti ka 8 aktivitete dhe pa dashur që të hyj në detaje, dua të përmend aktivitetin e 6-të, i cili është aktivitet në kuadër të cilit organizohet edhe punëtoria e sotme, Edukimin Financiar për Ndërmarrësit. Sektori financiar në 20 vitet e fundit në Kosovë ka shënuar një zhvillim duke ofruar produket dhe mundësi të reja të financimit për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme”, tha Morina.

 Sipas studimeve, ai theksoi se tregohet që ende një pjesë e ndërmarrjeve nuk ka qasje në financim të jashtëm.

Po ashtu, sipas tij është parë që edhe në raste ku ka kolateral problemi qëndron se ka mangësi sa i përket njohurive financiare te ndërmarrjet që reflektohet më pasqyra jo korrekte financiare, që janë pengës për qasje në financim të jashtëm.

“Qëllimi i kësaj punëtorie është që të ndikoj në ngritjen e njohurive financiare”, ka thënë ai.

Punëtoria përfshiu një seri temash thelbësore për ndërmarrësit, duke u fokusuar në menaxhimin e suksesshëm të financave të një biznesi.

Prezantimi i parë u mbajt nga Mic Ukaj, i cili shpjegoi në detaje, mbi bilancin e gjendjes, pasqyrën e fitimit dhe humbjes, rrjedhën e parasë. Ai gjithashtu u fokusua në rëndësinë e buxhetimit dhe planifikimit financiar për të siguruar qëndrueshmërinë e biznesit dhe ndërgjegjësimin për obligimet tatimore.

Pse janë të rëndësishme ose për kënd janë të rëndësishme pasqyrat financiare, për secilin ndërmarrës, çdo transaksion që realizohet në biznes është i rëndësishëm që të regjistrohet. Ai ju mundëson juve që të shikoni gjendjen financiare të ndërmarrjes. Planifikimi financiar është i lidhur ngushtë me planifikimin strategjik te ndërmarrjeve”., tha  ai.

Morina tha se Al ka të bëjë me vendosjen e qëllimeve afatgjate të biznesit si dhe krijimin e strategjive dhe objektivave të ndërmjetme për të arritur ato qëllime. “Për planifikim financiar afatgjatë duhet që të kihen parasysh, pozicionin financiar aktual, ekonominë, mjedisin politik, tendencat sociale, teknologjinë, rreziqet, tregjet, konkurrencën, linjën e produkteve, bazën e klientëve, mbështetjen kërkimore, aftësitë prodhuese, fuqinë punëtore, ciklin jetësor të produktit. Ndërmarrja duhet të mbaj regjistra për çdo transaksion që mbanë duhet të mbajë regjistra”, përfundoi Morina.

Besian Demiri nga Raiffeisen Bank Kosovo, diskutoi mbi qasjen në financimë të jashtëm, duke përfshirë përgatitjet e një biznesi për qasjen në kredi, si dhe menaxhimin e kredive, një elementë thelbësor për rritjen e qëndrueshmërisë së bizneseve të vogla dhe të mesme.

“Shkaku i performancës së mirë të klientëve në kualitetin e kredive, rritjes ekonomike që kemi, bankat në vazhdimësi janë duke i eleminuar kërkesat për kolateral ose i zvogëlojnë ato dhe janë duke i rritur limitet pa hipotekë. Në bankën Raiffeisen aktualisht pa hipotekë te ndërmarrjet mikor financojnë deri në 120 mijë euro, ndërsa në biznese të vogla edhe të mesme shkojmë edhe deri në 500 mijë euro. Kualiteti i të dhënave, standardizimi i shënimeve financiare, është kualiteti i të dhënave që ndikon këtu. Sa më të sakta, sa më të deklaruar pjesa e të hyrave dhe shpenzimeve edhe bankat e kanë më të lehtë pjesën e vendimmarrjes edhe këtë e bëjnë me shpjet, nuk ka nevojë për verifikim”, ka thënë ai.

Për sigurimin e bizneseve, Ilir Prapashtica dhe Teuta Zaiti Hoti prezantuan produktet e sigurimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM-të), duke theksuar mënyrën se si sigurimet mund të mbrojnë asetet dhe operacionet e bizneseve nga rreziqe të ndryshme.

“E para edhe më e rëndësishmja është transferimi i riskut të një kompani e sigurimeve. Prezantimi jonë si një njoftim i parë për bizneset është gama e përgjithshme e produkteve që ofrojnë kompanitë e sigurimeve, duke filluar prej sigurimit TPL që është një sigurimi i obliguar dhe duke zgjeruara informacione për sigurimet shëndetësore që është e nevojshme për çdo biznes e individ dhe sigurimi i bizneseve apo fillimin e një biznesi të suksesshëm duke e transferuar riskun te kompania e sigurimeve. E rëndësishme është që me blerjen e një polise të sigurimit ta kalojmë rriskun te siguruesi”, ka thënë Zaiti-Hoti.

Sytrime Dervisholli, e cila trajtoi temën mbi rëndësinë e Kritereve Mjedisore, Sociale dhe të Qeverisjes (ESG) dhe rolin e tyre në financimin e qëndrueshëm të bizneseve.

Ajo shpjegoi se si bizneset që ndjekin këto kritere kanë një mundësi më të mirë për të tërhequr financime dhe për të siguruar rritje të qëndrueshme afatgjatë.

ESG është një kornizë që ndihmon akteret te kuptojnë se si një kompani menaxhon rreziqet dhe mundësit rreth çështjeve të qëndrueshmërisë. Shtylla sociale i referohet marrëdhënieve të një organizate me palët e interesit. Shembuj të faktorëve me të cilët mund të matet një firmë përfshijnë matjet e menaxhimit të kapitalit njerëzor (HCM) (si pagat, e drejta dhe angazhimi i punonjësve), por edhe ndikimin e një organizate në komunitetet në të cilat ajo operon. Një veçori e ESG është se si pritshmëritë e ndikimit social janë shtrirë jashtë mureve të kompanisë dhe tek partnerët e zinxhirit të furnizimit, veçanërisht kompanitë në ekonomitë në zhvillim ku standardet mjedisore dhe të punës mund të jenë më pak të qëndrueshme”, ka thënë ajo.

Punëtoria u vlerësua shumë nga pjesëmarrësit, të cilët morën njohuri të vlefshme për të përmirësuar menaxhimin e financave të bizneseve të tyre dhe për të përfituar më mirë nga mundësitë e financimit.

Platforma “Biznesi Im”, në bashkëpunim me partnerët e saj, do të vazhdojë të ofrojë mundësi të tilla trajnimesh dhe aktivitetesh për të ndihmuar në rritjen e kapaciteteve të ndërmarrësve në Kosovë.

Projekti EnInGeP, i financuar nga Austrian Development Cooperation dhe i implementuar në bashkëpunim me CARE International dhe ECIKS, mbështet vazhdimisht iniciativat që synojnë rritjen e mundësive ekonomike për ndërmarrësit kosovarë.

commentKomento
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat