Opozita vazhdimisht ka proklamuar se buxheti i miratuar në Kuvendin e Kosovës për vitin 2025 është anti-kushtetues duke u lidhur në mënyrën e rritjes së pagave në sektorin publik. Ani pse nuk ka ndonjë paralajmërim nga to, pasojat do ishin të mëdha në ekonominë e vendit nëse dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, analistët politik thonë se nëse opozita nuk vepron ashtu atëherë kjo kauzë po përdoret vetëm për elektorat.
Në seancat plenare, në studio televizive, e me anë të postimeve në rrjetet sociale, vazhdimisht thanë që buxheti i vitit 2025 është anti-kushtetues.
Mirëpo, partitë opozitare këtë deri tani e kanë lënë kryesisht të tillë, veç si deklaratë.
Por, a kanë të drejtë ta dërgojnë të njëjtin në Gjykatën Kushtetuese pas miratimit në Kuvendin e Kosovës dhe çfarë ndodh?
“Sipas nenit 113, jo më pak se 10 deputet kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar nëse është në përputhje me kushtetutën qoftë nga përmbajtja apo nga procedura, në rastet të tilla normalisht kërkesa ka karakter suspenziv që domethënë që ndalon së zbatuari derisa për të njëjtin të vendos Gjykata Kushtetuese”, ka theksuar Ardian Bajraktari, avokat.
Sipas tij, një vendim i tillë mund të merrte kohë deri në 6 muaj dhe kjo do të nënkuptonte humbje të mëdha ekonomike për vendin.
“Do të krijonte implikime të mëdha, dhe nuk do të mund të fillonte implementimi i buxhetit për vitin 2025, dhe si rezultat do të kalojmë në fazën tranzitore në të cilën do të bëhen vetëm pagesat mbi të ardhurat e parapara në ligjin e buxhetit dhe ligjet e tjera në fuqi dhe nuk mund të filloj asnjë projekt kapital i paraparë për periudhën e vitit 2025-së”, ka theksuar Bashkim Mustafa, ekonomist.
Por, sipas analistëve politik, opozita nëse vetëm e quan të tillë dhe nuk ndërmerr ndonjë hap, atëherë gjithçka po e bën për fushatë dhe jo se e ka kauzë serioze.
“Subjektet politike nëse e kanë me të vërtet seriozisht do të duhej të e dërgonin në Gjykatën Kushtetuese dhe të vazhdojnë procedurat për vlefshmërinë ligjore të së njëjtës, në çoftë se e njëjta nuk bëhet atëherë subjektet politike opozitare po bëhet vetëm fushatë”, ka deklaruar Albinot Maloku, analist politik.
Argumenti i opozitës se buxheti është kundërkushtetues lidhet me rritjen e pagave, pasi sipas tyre kjo nuk mund të bëhet përmes buxhetit por përmes rritjes së koeficienteve nga Ligji i Pagave.