Indeksi i çmimeve të prodhimit dhe indeksi i çmimeve të importit për tremujorin e katërt të vitit 2024, kanë shënuar ngritje të çmerimeve krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2023 si dhe ato të tremujorit të tretë të vitit 2024.
Agjencia e Statistikave të Kosovës njofton se indeksi i tërësishem i çmimeve të prodhimit në Kosovë u ngrit për 0,1% ndërmjet TM4 2024 dhe TM3 2024. Kurse, krahasuar TM4 2024 me TM4 2023, çmimet e prodhimit u ngritën në një mesatare prej 8,5%.
“Çmimet e prodhimit në Kosovë u ngritën në një mesatare prej 0,1% në mes TM4 2024 dhe TM3 2024. Ngritje më të mëdha sipas degëve të veprimtarive ekonomike vërehen te: prodhimi i mjeteve motorike të (transportit), rimorkiove dhe gjysmë rimorkiove (12,8%); prodhimi i mobilieve (8,4%); grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë (3,2%); përpunimi i produkteve ushqimore (0,8%); prodhimi i pijeve (0,3%); energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar (0,1%); dhe prodhimi i produkteve kimike (0,1%)”, thuhet në raportin e ASK-së.
Sipas kësaj Agjencie ngritja u neutralizua nga rënia e çmimeve te: xeheroret dhe guroret e tjera me 5,2%, prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve me 3,9%, nxjerrja e xehes së metalit me 3,2%, prodhimi i metaleve me 2,4%, prodhimi i produkteve të gomës dhe të plastikës me 1,3%, dhe prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara – thurëse me 0,1%.
Ndërsa, sipas ASK-së rritja vjetore e çmimeve të prodhimit është 8.5 për qind.
“Çmimet e Prodhimit në Kosovë u ngriten në një mesatare prej 8,5% në mes të TM4 2024 dhe TM4 2023. Ngritje më të mëdha sipas degëve të veprimtarive ekonomike vërehen te: energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar (20,6%); prodhimi i letrës dhe produkteve prej letrës (11,0%); prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t (10,5%); prodhimi i mobilieve (10,3%); prodhimi i lëkurës dhe produkteve prej lëkurës (8,8%); përpunimi i produkteve ushqimore (6,9%); grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë (6,8%); prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara – thurëse (5,5%); prodhimi i produkteve kimike (4,4%); prodhimi i metaleve (3,8%); prodhimi i pijeve (3,6%); prodhimi i produkteve minerale jo metalike (1,6%); nxjerrja e xehes së metalit (1,2%); dhe prodhimii produkteve të gomës dhe të plastikës (1,0%)”, thuhet në raport.
Gjatë kësaj periudhe rritje kanë pësuar edhe çmimet e importit.
Sipas ASK-së ngritje më të mëdha të çmimeve sipas sektorëve ishin te: lëkura dhe artikujt e saj 2,8%, pajisjet e makinerisë dhe pajisjet elektrike 1,9%, produktet bimore 1,5%, artikujt e ndryshëm të prodhuar 1,4%, tekstili dhe artikujt e tekstilit 1,1%), druri dhe artikujt e tij 1,0%, instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinal, muzikorë dhe mekanizmat e orës 0,4%, mjetet e transportit 0,3%, letrat dhe artikujt e saj 0,3%, këpucët 0,3%, artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani (0,2%); shtazët e gjalla dhe produktet e shtazëve (0,2%); dhe produktet minerale (0,1%). Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorit te: vajrat ushqyese (-3,2%); plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre (-2,6%); metalet bazë dhe artikujt e metaleve bazë (-1,6%); dhe artikujt e gurit, llaçit, produktet e qeramikës dhe të qelqit (-0,7%.
Ndërsa, në tremujorin e katërt 2024 - Tremujori i katërt 2023, 0,5% çmimet e Importit në Kosovë u ngritën në një mesatare prej 0,5% në mes TM4 2024 dhe TM4 2023.
“Ngritje më të mëdha sipas sektorëve ishin te: produktet bimore (7,7%); vajrat ushqyese (6,6%); mjetet e transportit (3,7%); tekstili dhe artikujt e tekstilit (2,4%), etj. Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorëve te: lëkura dhe artikujt e saj -13,9%); produktet minerale (-3,9%); artikujt e ndryshëm të prodhuar (-1,5%); metalet bazë dhe artikujt e metaleve bazë (-1,3%); plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre (-0,7%) etj”, thuhet në raportin e ASK-së.