Përmbysje në zgjedhjet lokale në Podgoricë, partia e Gjukanoviqit prin me një avantazh të madh

Evropë

Përmbysje në zgjedhjet lokale në Podgoricë, partia e Gjukanoviqit prin me një avantazh të madh

Më: 29 shtator 2024 Në ora: 22:11
Milo Gjukanoviq

Sipas rezultateve paraprake, Partia Demokratike e Socialistëve po prin në zgjedhjet lokale në Podgoricë, duke fituar rreth 29 për qind të votave.

Qendrat e votimit për zgjedhjet lokale në Podgoricë janë mbyllur sonte në orën 20:00.

Dhe sipas rezultateve paraprake, lista e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) është në krye me rreth 29 për qind të votave të fituara, shkruajnë mediat në gjuhën serbe.

Ai ndiqet nga koalicioni i Lëvizja Evropa Tani dhe Mali i Zi Demokratik me rreth 23 për qind të votave.

Ndërkohë, koalicioni “Për Ardhmërinë e Podgoricës” ka 21 për qind të votave.

Ndryshe, sot në Podgoricë u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e kryeqytetit të Malit të Zi, ku morën pjesë 13 lista zgjedhore.

Në këto zgjedhje të drejtë vote kanë pasur afro 146 mijë votues, të cilët zgjedhin 58 këshilltarë për Kuvendin e Podgoricës.

Sipas mediave, rënia e pushtetit në Podgoricë ishte pasojë e mosmarrëveshjes dhe ndarjes së partisë që mban pushtetin në Malin e Zi, Lëvizjes Evropa Tani.

Partia u nda mes presidentit aktual, Jakov Milatoviç, i cili ishte një nga themeluesit e saj, dhe kryeministrin dhe kryetarin të kësaj lëvizjeje, Milojko Spajiç.

Analistët i konsiderojnë të rëndësishme zgjedhjet e Podgoricës dhe i shohin si një lloj testi për zgjedhjet e mundshme të jashtëzakonshme parlamentare në Mal të Zi, të cilat sipas disa vlerësimeve mund të ndodhin për shkak të paqëndrueshmërisë ende të theksuara politike në vend.

Zgjedhjet e mëparshme për Kuvendin e kryeqytetit u mbajtën në tetor të vitit 2022, kur pas gati tre dekadash Partia Demokratike e Socialistëve e ish-presidentit Milo Gjukanoviq humbi pushtetin, në nivel shtetëror dhe pastaj në kryeqytetin malazez në një valë ndryshimesh të përgjithshme politike në shtet.

Mali i Zi ka rreth 633,000 banorë, dhe rreth 180,000 prej tyre jetojnë në Podgoricë, sipas regjistrimit të vitit 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat