Kriza e popullsisë në Rusi po thellohet. Parashikimet e Kombeve të Bashkuara tregojnë se Rusia mund të humbasë gjysmën e saj, deri në fund të këtij shekulli. Si reagim ndaj situatës Moska po rrit përpjekjet kundër atij që e quan, ideologji liberale, me një ligj që gjobit këdo që përqafon një mënyrë jetese pa fëmijë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Ricardo Marquina, sjell më shumë detaje.
Të kesh ose jo fëmijë në Rusi, është ende një zgjedhje personale. Por një stil jetese pa fëmijë tashmë është i ndaluar me ligj.
Parlamenti rus, Duma, miratoi një ligj në muajin nëntor që vendos gjoba për ata që, sipas tij, mbështesin atë që e quan “propagandë e refuzimit të qëllimshëm për të lindur fëmijë”.
Ligji u miratua nga ligjvënësit rus që akuzojnë Perëndimin për përhapjen e një ideologjie liberale që po ndikon tek çiftet e reja ruse që të shmangin të pasurit fëmijë.
“Ky është sigurisht element i një lufte të madhe hibride kundër vendit tonë, së bashku me propagandën e drogës, pedofilisë, propagandës së ndryshimit të gjinisë, marrëdhënieve seksuale jotradicionale, propagandës së vetëvrasjes”, thotë Sergei Boyarskiy, ligjvënës nga partia e Presidentit rus Vladimir Putin, “Rusia e Bashkuar”.
Qeveria nuk ka përmendur individë apo organizata që synon të sulmojë me ligjin e ri.
Megjithatë, disa shoqata të të drejtave të njeriut, që ende punojnë brenda Rusisë, e shohin ligjin si një instrument represioni.
“Ka gjithnjë e më pak hapësirë publike për të shprehur pikëpamje të ndryshme. Këto masa janë vetëm për të penguar diskutimet mbi problemet e amësisë”, thotë Sofia Rusova nga Qendra për Mbrojtjen e Viktimave të Dhunës në Familje.
Aktivistët që janë detyruar të largohen nga Rusia, pasi kanë kundërshtuar agresionin e Moskës në Ukrainë, fajësojnë luftën për atë që ata e shohin si një masë shumë të ashpër për të heshtur debatin mbi natalitetin.
“Tani një grua mund të gjobitet nëse thotë se nuk dëshiron të lindë fëmijë, në këtë ekonomi, në këtë situatë kur ka luftë, pra nëse thotë publikisht se nuk mendon se është e sigurt të ketë fëmijë tani”, thotë Roxana Kiseleva, koordinatore në ekzil e organizatës ‘Komiteti Feminist Kundër Luftës’. Ajo i kërkoi Zërit të Amerikës të mos e zbulonte vendndodhjen e saj jashtë Rusisë, për arsye sigurie.
Rusia tani ka 144 milionë banorë. Parashikimet e Kombeve të Bashkuara thonë se rënia e natalitetit dhe plakja e popullsisë nënkupton se Rusia mund të humbasë gjysmën e këtij numri, deri në fund të këtij shekulli. Udhëheqja ruse e sheh këtë si një skenar katastrofik për një komb me territorin më të madh në botë./VOA