107 persona u arrestuan gjatë përleshjeve mes protestuesve dhe policisë në kryeqytetin e Gjeorgjisë.
Mijëra vetë kanë dalë në shesh prej disa ditësh pasi qeveria vendosi të ndërpresë negociatat me Bashkimin Europian për anëtarësimin. Më 14 dhjetor pritet të mbahen zgjedhjet, ndërsa partia në pushtet, “Ëndrra Gjeorgjiane” ka emëruar si kandidat zyrtar për president të vendit ish-sulmuesin e Mançester Sitit, Mikael Kavelashvili.
53-vjeçari dikur ka qenë pjesë e kësaj partie, por në vitin 2016 themeloi partinë e re, “Fuqia e Popullit”. E megjithatë, ai është në koalicion me ish-partinë e tij dhe që drejtohet nga oligarku Bixina Ivanishvili. Ky i fundit njihet për tendencat e tij pro-ruse. Në partinë e tij bën pjesë edhe një tjetër ish-futbollist i shquar, Kakaber Kalaxe, ish-lojtar i Milanit që aktualisht është kryetar i bashkisë së kryeqytitit, Tbilisi.
Presidentja e Gjeorgjisë Salome Zourabichvili i kërkoi policisë të mos përdorë forcën kundër protestuesve të premten vonë, pasi 107 persona të tjerë u arrestuan në përleshjet gjatë natës, raporton AP.
Policia përdori forcë për të shpërndarë një turmë të madhe të mbledhur në Tbilisi, duke përdorur topa uji, spraj dhe në disa raste, duke rrahur brutalisht protestuesit, sipas dëshmitarëve okularë, përfshirë edhe një gazetar të AP-së në terren.
Presidentja vlerësoi gjithashtu qytetarët për luftën për demokraci. Sipas saj, askush nuk është i gatshëm të pranojë një Gjeorgji të rusifikuar, një Gjeorgji të privuar nga kushtetuta e saj ose një Gjeorgji në duart e një qeverie dhe parlamenti të paligjshëm.
Ministria e Brendshme e Gjeorgjisë konfirmoi se 107 persona u arrestuan gjatë një proteste gjatë natës në Tbilisi.