Katedralja ikonike në Paris, Notre Dame, zyrtarisht do të rihapë dyert e saj më 7 dhjetor, pas zjarrit më 2019 që pothuajse shkatërroi tërësisht ndërtesën 861-vjeçare.
Restaurimi, një arritje e jashtëzakonshme në pesë vjet për strukturën që iu deshën pothuajse dy shekuj që të ndërtohej, po shihet si triumf për presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili ka shtyrë përpara këtë projekt, pavarësisht krizave të brendshme politike.
Kjo ceremoni mbledh në Paris liderët botërorë, të ftuar dhe besimtarë, dhe ky tubim po shihet si momente i rrallë i unitetit, në kohën kur bota po përballet me ndarje dhe konflikte.
Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, Zonja e Parë amerikane, Jill Biden, Princi William i Britanisë dhe dhjetëra krerë shtetesh e qeverish – një listë prej 1.500 të ftuarish – përfshirë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani do të marrin pjesë në ceremoninë e rihapjes të Notre Dame që mbahet nën harkun gotik të ndërtesës. Ceremonia do të udhëhiqet nga kryepeshkopi Laurent Ulrich.
Fillimisht, ceremonia ishte paraparë të mbahej në oborrin e Katedrales, por për shkak të erërave të fuqishme që janë paraparë për të shtunën, autoritetet kanë vendosur që e gjithë ceremonia të mbahet brenda Notre Dame.
Për udhëheqësin e katedrales, Olivier Ribadeau Dumas, ajo është “më shumë sesa një monument franceze” dhe është një trashëgimi e kulturës botërore.
“Katedralja është një simbol i jashtëzakonshëm i unitetit. Një shenjë e shpresës, sepse ajo që dukej e pamundur është bërë e mundur”, tha ai.
Ngjarjet e së shtunës janë një përzierje e traditave solemne fetare me ato kulturore.
Në mbrëmje, ndërkaq do të ketë një koncert brenda katedrales për të nderuar ata që punuan në rindërtimin e saj.
Pothuajse 170 peshkopë nga Franca dhe të huaj, së bashku me priftërinj nga 133 famullitë e dioqezës së Parisit do të marrin pjesë në ceremoninë e rihapjes.
Rihapja e Notre Dame po ndodh në kohën kur bota po përballet me trazira, me luftëra në Ukrainë e Lindje të Mesme.
Për të krishterët dhe për udhëheqësit e Notre Dame, ceremonia e rihapjes do të përçojë simbolin e unitetit dhe shpresës.
Siguria do të jetë e madhe gjatë gjithë fundjavës, ashtu siç ishte në Paris kur u mbajtën Lojërat Olimpike më herët gjatë këtij viti.
Île de la Cité – ishulli i vogël në lumin e Senës, që është shtëpi e Notre Dame – do të mbyllet për turistët dhe për personat jorezident dhe qase në të do të kenë vetëm të ftuarit dhe banorët e ishullit.
Pranë brigjeve të Senës, 40.000 spektatorë do të akomodohen, të cilët do të mund të përcjellin festimet përmes ekraneve të mëdha.
Për shumë, rihapja e Notre Dame nuk është vetëm një arritje e Francës, por e botës, teksa katedralja pritet të mirëpres 15 milionë vizitorë në vit, nga 12 milionë sa kishte pritur para zjarrit të madh.
Pas zjarrit të vitit 2019, shumë shpejt u mblodhën pothuajse 1 miliard dollarë donacione nga e mbarë bota, duke dëshmuar se Notre Dame është një monument që tërheq vëmendjen e gjithë botës./REL