Georgescu proteston para një qendre votimi pas anulimit të zgjedhjeve

Evropë

Georgescu proteston para një qendre votimi pas anulimit të zgjedhjeve

Më: 8 dhjetor 2024 Në ora: 13:01
Kandidati presidencial në Rumani, Calin Georgescu

Kandidati presidencial në Rumani, Calin Georgescu, politikan i ekstremit të djathtë dhe prorus, së bashku me dhjetëra mbështetës të tij kanë protestuar më 8 dhjetor pranë një qendre të mbyllur të votimit në Bukuresht, pasi u anulua mbajtja e rundit të balotazhit nga Gjykata Kushtetuese në këtë shtet.

Më shumë se 100 persona u mblodhën jashtë një qendre votimi në kryeqytetin rumun më 8 dhjetor – ditën që paraprakisht ishte vendosur të mbahej rundi i balotazhit – duke brohoritur “poshtë diktatura”, “ne duam të votojmë” dhe “hajna”.

Georgescu, komentet proruse të të cilit kanë nxitur protesta të mijëra personave, kryesisht të rinjve rumunë, në ditët e fundit, tha se autoritetet anuluan zgjedhjet sepse ata kanë frikë se ai do të fitojë.

“Jam këtu në emër të demokracisë dhe gjithmonë do të jem”, tha Georgescu para gazetarëve teksa qëndronte para qendrës së votimit.

Si e ndihmoi TikTok-u kandidatin e ekstremit të djathtë ta fitojë rundin e parë të zgjedhjeve në Rumani

Georgescu, që garoi si i pavarur, fitoi rundin e parë të zgjedhjeve që u mbajt më 24 nëntor, duke dalë para reformistes, Elena Lasconi, e cila vjen nga radhët e partisë së qendrës së djathtë, Bashkimi për Shpëtimin e Rumanisë.

Të dy pritej të përballeshin në rundin e balotazhit. Por, Gjykata Kushtetuese më 6 dhjetor anuloi të gjithë procesin e zgjedhjeve presidenciale.

Gjykata tha se vendimi u mor pasi ishin përdorur teknologji të paligjshme digjitale, përfshirë inteligjencë artificiale, por ishin përdorur edhe “burime të padeklaruara të financimit”.

Georgescu ka kritikuar vendimin, duke e cilësuar si një “grusht shtet” dhe një goditje ndaj demokracisë.

Më 7 dhjetor, ai u bëri thirrje votuesve që të dalin para qendrave të votimit “dhe të presin që demokracia të fitojë përmes fuqisë së tyre”.

Në balotazh do të vendosej e ardhmja e Rumanisë – anëtares së NATO-s dhe Bashkimit Evropian – mes akuzave për përfshirje ruse, që ka nxitur protesta të rumunëve që mbështesin vendin e shtetit të tyre në komunitetin euroatlantik.

Vendimi i Kushtetueses u bë publik dy ditë pasi presidenti, Klaus Iohannis, bëri publike dokumente të klasifikuara ku thuhet se Rusia kishte organizuar mijëra llogari në rrjete sociale për të promovuar Georgescuun në shumë platforma, sikurse në TikTok dhe Telegram./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat