Në Mal të Zi, kohëve të fundit, janë shtuar sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve duke shkaktuar shqetësime ndaj punës dhe të drejtave të tyre.
Analistët dhe përfaqësuesit e mediave në Malin e Zi vlerësojnë se kjo frymë i ka shtuar burimet e kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe se sipas tyre, gjendja në këtë fushë është alarmante.
Analisti dhe përfaqësuesi i Institutit për Media dhe i Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Malit të Zi, Mustafa Canka thekson se shkalla e sigurisë për gazetarët është në rënie.
“Për një shtet të vogël me mediume që nuk janë shumë në masë, kjo është diçka alarmante. Kjo po ndodh për shkak se shkalla e sigurisë në Mal të Zi është në rënie dhe kemi një qeveri të dobët që nuk shfaq mbështetje ndaj shtypit të vërtetë dhe të lirë,” tha zoti Canka.
Ndërkaq analisti dhe njohësi i mirë i zhvillimeve në fushën mediatike, Ismet Kallaba tha se dhuna ndaj gazetarëve në Malin e Zi është shndërruar në një dukuri.
“Për fat të keq rastet e dhunës ndaj gazetarëve janë shtuar kohëve të fundit në Mal të Zi. Vetëm brenda këtij viti ne kemi me dhjetra raste, gjë që tregon se dhuna është shndërruar në një dukuri. Mendoj se kjo është pasojë e faktit se nuk janë ndriçuar rastet e mëparshme ose kryerësit e dhunës dhe të veprimeve penale janë dënuar me dënime minimale,” tha zoti Kallaba.
Zoti Canka, vë në dukje, se pandëshkueshmëria e bën edhe më të frikshëm dhunën ndaj gazetarëve në Malin e Zi.
“Policia dhe prokuroria e kanë detyrë që ti marrin në shqyrtim sa më parë këto raste, por vazhdon problemi me gjyqësorin që është shkalla më e dobët në Mal të Zi dhe kjo do të jetë kështu deri sa Mali i Zi mos të jetë pjesë e Bashkimit Evropian”, tha zoti Canka.
Në anën tjetër zoti Kallaba vlerëson se Mali i Zi duhet të punojë më shumë në ndërgjegjësimin dhe në mbrojtjen e gazetarëve.
“Në të ardhmen Mali i Zi duhet të punojë më tepër në ndërgjegjësimin dhe në rritjen e kujdesit ndaj gazetarëve si një shtresë e veçantë duke pasë parasyshë edhe punën që ata kanë për shoqërinë,” tha zoti Kallaba.
Zoti Kallaba fajson edhe organizatat mediatike në Malin e Zi, të cilat për shkak të polarizimeve, nuk po angazhohen sa duhet ndaj cënimit të gazetarëve.
“Duke qenë se në Malin e Zi ekzistojnë disa shoqata të gazetarëve dhe se vetë gazetarët dhe shoqatat e tyre janë të polarizuara, siç është edhe shoqëria në përgjithësi, mendoj që ka një mungesë sa i përket reagimit të shoqatave të ndryshme të gazetarëve, kur kemi të bëjmë me rastet e dhunës,” tha zoti Kallaba.
Vetëm gjatë këtij viti, sipas të dhënave të Sindikatës së Medias, janë shënuar mbi 18 sulme apo incidente ndaj gazetarëve që është një numër shumë i madh në një vend të vogël me pakë media siç është Mali i Zi./VOA