Vuçiqi te Scholzi për litiumin

Evropë

Vuçiqi te Scholzi për litiumin

Më: 10 dhjetor 2024 Në ora: 17:08
Foto nga takimi

Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, po qëndron në Freiberg, Gjermani në një vizitë zyrtare, ku ka biseduar me kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz.

Temë e bisedave mësohet të ketë qenë çështja e litiumit, material të cilin Serbia e posedon në sasi të mëdha.

Në një postim në profilin e tij zyrtar në Instagram, Vuçiqi tha se Scholzin kanë diskutuar për mundësitë e përdorimit të teknologjive të avancuara dhe ekspertizës gjermane në miniera dhe shprehu besimin se përmes bashkëpunimit me Gjermaninë, e cila tha se është lider në aplikimin e inovacioneve dhe zgjidhjeve ekologjike në industrinë minerare, “do të përmirësojmë kapacitetet tona dhe vendosim bazat për qëndrueshmërinë afatgjatë në këtë sektor”.

“Pres që bashkëpunimi ynë të kontribuojë jo vetëm në përmirësimin e industrisë minerare, por edhe në arritjen e qëllimeve të përbashkëta në fushën e tranzicionit energjetik dhe mbrojtjen e mjedisit. Themelet e hedhura sot do të jenë vendimtare për zhvillimin e ardhshëm të vendeve tona në këtë sektor”, deklaroi Vuçiqi.

Tutje, presidenti serb foli edhe për projektin “Zinnwald Lithium GmbH”, i cili tha se është gjithashtu shumë i dobishëm për vendin e tij.

“Ky projekt, i vendosur në zemër të Saksonisë, është një shembull se si teknologjitë inovative dhe strategjitë e planifikuara me kujdes mund të ofrojnë burime për tranzicionin e energjisë, duke respektuar standardet më strikte mjedisore. Vizita në Freiberg solli njohuri të vlefshme për mundësitë që shtrihen në punën e përbashkët në projekte të përgjegjshme dhe të qëndrueshme ndaj mjedisit, të cilat do të kontribuojnë në përparimin teknologjik të Serbisë dhe forcimin e bashkëpunimit midis vendit tonë dhe Gjermanisë”, u shpreh Vuçiqi gjatë vizitës në Muzeun e Qytetit dhe Minierave në Freiberg.

Në korrik të këtij viti, kancelari gjerman, Olaf Scholz qëndroi në Beograd ku tha se projekti “Jadar”, i cili parasheh krijimin e një miniere litiumi në pjesën perëndimore të Serbisë, është gjë e mirë për këtë vend.

Scholz dhe Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Marosh Shefçoviq, patën theksuar se gjatë mihjes së këtij minerali të rëndësishëm, do të respektohen standardet më të larta për ambientin.

Presidenti serb, Alleksandar Vuçiq është përballur me kundërshtimet e ambientalistëve dhe banorëve të zonës, të cilat kanë shqetësime për mjedisin.

E gjatë Samitit për Lëndët e Para të Qëndrueshme në Beograd, që u mbajt gjatë vizitës së Scholzit atje, blloku evropian dhe Serbia nënshkruan memorandum mirëkuptimi për partneritet strategjik lidhur me lëndën e parë të qëndrueshme, rrjetin e prodhimit të baterive dhe makinave elektrike.

Ky takim kishte ndodhur pak ditë pasi Qeveria e Serbisë e kishte rishikuar projektin “Jadar”, i cili parasheh hapjen e një miniere të litiumit në luginën e Jadrës në Serbi nga gjiganti botëror, Rio Tinto.

Në konferencë të përbashkët me Shefçoviqin dhe Vuçiqin, Scholzi pati thënë se “Jadar” është projekt evropian. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat