Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski deklaroi të martën se "vetëm vendosmëria" mund t'i jap fund luftës së Rusisë në Ukrainë dhe të sjellë paqe të qëndrueshme.
Disa ditë pas bisedimeve me Presidentin francez Emmanuel Macron dhe Presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, zoti Zelenski tha se puna e përbashkët për t'i dhënë fund luftës është përparësia e tij kryesore dhe ai shprehu mirënjohjen ndaj zotit Trump, për siç u shpreh vendosmërinë e tij të fortë për një përfundim të drejtë luftës.”
Udhëheqësi ukrainas tha më tej se i kishte thënë zotit Trump se presidenti rus Vladimir Putin “i frikësohet vetëm atij dhe ndoshta Kinës”.
“Ne e dimë se Amerika ka kapacitetin për të realizuar gjëra të jashtëzakonshme, që të tjerët nuk kanë mundur t’i arrijnë”, thuhet në një postim të zotit Zelenski në rrjetin social X. “Për të pasur sukses në përfundimin e kësaj lufte, ne kemi nevojë për unitet të Amerikës, Evropës dhe gjithë të tjerëve në botë, që vlerësojnë sigurinë dhe mund të japin garanci të forta për paqen.”
Komentet e Presidentit Zelenski vijnë mes pyetjeve në rritje lidhur me nivelin e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për Ukrainën ndërsa Uashingtoni përgatitet për fillimin e mandatit të ri të Presidentit të zgjedhur Donald Trump muajin e ardhshëm.
Shtetet e Bashkuara gjatë administratës së Presidentit Biden kanë udhëhequr përpjekjet për sigurimin e miliarda dollarëve në ndihma ushtarake për Ukrainën, duke përfshirë municione dhe armë të mbrojtjes ajrore për t'u mbrojtur nga sulmet ruse.
Zoti Trump tha pas takimit me zotin Zelenski të dielën se duhet të ketë një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë dhe fillim të negociatave mes Ukrainës dhe Rusisë./VOA