Dhjetori i zi për Vladimir Putinin

Evropë

Dhjetori i zi për Vladimir Putinin

Nga: Wolfram Weimer Më: 10 dhjetor 2024 Në ora: 21:28
Vladimir Putin

Rënia e rublës, trazirat provinciale, humbjet e larta në vijën e frontit në Ukrainë dhe tani disfata spektakolare në Siri. Presidenti rus papritmas duket si një humbës. Debakli i Sirisë mund të shkaktojë një reaksion zinxhir. Papritur ka një gjëmim në Moskë.

Diçka po shpërthen rreth Vladimir Putinit. Lajmet e këqija njëri pas tjetrit po arrijnë aktualisht në Kremlin. Tre kriza po e tronditin strukturën e pushtetit të Putinit.

Debakli filloi fillimisht me rrëzimin e rublës, i shkaktuar nga sanksionet e reja të SHBA kundër bankës Gazprom. Rubla ka rënë që atëherë dhe tani është një nga monedhat më të dobëta ndonjëherë. Kjo e bën të qartë për botën se ekonomia e luftës e Putinit dhe financat shtetërore të Rusisë, janë nën presion të madh. Pakënaqësia brenda Rusisë po rritet me shpejtësi. Familjet dhe kompanitë në veçanti po paguajnë çmimin e vështirësive financiare, përmes normave të larta të interesit. Norma bazë më e rëndësishme e interesit është tashmë në 21 përqind dhe ka të ngjarë të rritet më tej së shpejti.

Rusët e zakonshëm tani duhet të paguajnë më shumë se 25 për qind interes, për paratë afatshkurtra. Biznesi i huadhënies dhe investimet nga kompanitë civile (shoqëritë e mbrojtjes janë të subvencionuara) thuajse janë në ndalesë. Prandaj ka zhurmë në vend dhe Unioni Rus i Industrialistëve dhe Sipërmarrësve (RSPP), tani po guxojnë të kritikojnë hapur, situatën dramatike financiare. Pas gati tre vitesh luftë, Putin është nën presionin ekonomik.

Përparon në vijën e parë me kosto të jashtëzakonshme

Lajmi i dytë i keq vjen nga fronti në Ukrainë. Trupat ruse po përparojnë ngadalë, por në mënyrë shumë të vogël. Raportet për humbjet e tyre janë tmerrësisht të larta. Blogerët ushtarakë raportojnë një "mulli gjigant të vijës së parë të mishit të njeriut". Udhëheqja e ushtrisë po sakrifikon një numër alarmant ushtarësh, për përfitime minimale në terren. Vetëm të enjten e kaluar, sipas vëzhguesve ushtarakë ukrainas, Rusia humbi më shumë se 2,000 ushtarë - përfshirë të vrarët dhe të plagosurit. Kjo është shifra më e lartë në një ditë, deri më tani.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin vuri në dukje në një fjalim në Forumin e Mbrojtjes Kombëtare Reagan në Kaliforni se, ushtria ruse ka pësuar të paktën 700,000 viktima që nga fillimi i luftës së agresionit nga shkurti i 2022. Sipas Austin, Rusia gjithashtu shpenzoi "më shumë se 200 miliardë dollarë" në luftë.

Numri i lartë i viktimave dhe kriza financiare e dukshme në rrëzimin e rublës, formojnë një përzierje toksike të pakënaqësisë së brendshme për Putinin, veçanërisht pasi nuk ka suksese të fuqishme ushtarake. Pavarësisht nga numri i madh i viktimave, ushtria ruse, nuk është në gjendje as të largojë trupat ukrainase nga rajoni i Kurskut Brenda Rusisë. Komandanti në krye u zëvendësua. Gjatë një paraqitjeje në Pallatin e Kremlinit, ku Putini dha medaljen e Yllit të Artë për "Heronjtë e Rusisë", në audiencë u panë fytyra mimike jashtëzakonisht të ngurtësuara. Me pak fjalë: humori po errësohet.

Si të matet tutje Rusia, si një fuqi botërore

Në mes të krizës së dhjetorit vjen rënia e diktatorit sirian Bashar al-Assad. Për Putinin, ky është një debakël ushtarak dhe një turp i madh gjeopolitik. Për gati dhjetë vjet, Rusia e mbajti diktatorin në pushtet, me shpenzime të mëdha. Tani gjithçka ishte e kotë. Moska madje duhet të lutet që trupat e saj të mbetura, të tërheqen të sigurt nga bazat në Siri. Putini jo vetëm që ka humbur ndikimin dhe kontrollin mbi një aleat të rëndësishëm në Lindjen e Mesme, por ai është gjithashtu në rrezik të humbasë bazën e tij të vetme detare në Mesdhe.

Përmbysja e Assadit dobëson në mënyrë dramatike pozitën gjeopolitike të pushtetit të Rusisë. E gjithë bota tani e sheh se, Rusia nuk mund të mbrojë mbështetësit e saj tashmë të pakët. Imazhi i dobësisë ruse, do të nënkuptojë që Rusia do të testohet përsëri diku tjetër - për shembull në Gjeorgji, por edhe në provincat e saj, veçanërisht në ato me shumicë myslimane. Trazirat tashmë shpërthyen në republikën ruse të Dagestanit. Grupet opozitare islamike ndjehen të guximshme nga ngjarjet në Siri, për të sfiduar Moskën.

Në përgjithësi, situata tregon se Rusia ka rënë në një krizë klasike të shtrirjes së tepërt perandorake, me politikën agresive të Putinit. Ndërhyrja ruse në Libi dhe shtete të tjera afrikane, gjithashtu po shembet në masë të madhe. Rusia është tkurrur papritur nga një fuqi e perceptuar botërore, në një fuqi rajonale që bën luftëra kufitare.

E hapur për negociata si kurrë më parë

Putini kërcënohet me një reaksion zinxhir zhvillimesh të këqija. Diplomatët raportojnë se kjo është një nga arsyet, pse Kremlini është befas më i hapur ndaj negociatave të menjëhershme të paqes, në luftën në Ukrainë. Ditët e fundit ka pasur “shumë lëvizje” në prapaskenë drejt fillimit të bisedimeve për armëpushim. “Moska duket se po e kupton se do të ishte më mirë që lufta të çojë në negociata politike”, thotë një përfaqësues i NATO-s në Bruksel.

Në të vërtetë, Kremlini ishte jashtëzakonisht i drejtpërdrejtë duke thënë të dielën se Rusia ishte e hapur për bisedime mbi Ukrainën, pasi presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump bëri thirrje për "një armëpushim të menjëhershëm dhe negociata". Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se negociatat e paqes, duhet të bazohen në marrëveshjet e arritura në Stamboll në vitin 2022 dhe në realitetet aktuale në fushën e betejës. Prandaj, Kievit do t'i duhet të pranojë humbje masive territoriale, përpara se të fillojnë negociatat - por gjithashtu do të marrë presionin përkatës nga presidenti i caktuar i SHBA-së, Donald Trump.

Peskov vuri në dukje, sipas agjencisë së lajmeve Reuters , se Ukraina kishte ndaluar kontaktet me udhëheqjen ruse, përmes një dekreti të posaçëm që do të duhej të tërhiqej, nëse bisedimet do të vazhdonin. Toni është shumë më i hapur, për fillimin e përfundimit të luftës. Rënia e rublës, numri i madh i viktimave, turpi i Sirisë, me pak fjalë „Dhjetori i Zi“, duket se kanë një efekt te Putini.

Burimi: ntv.de, Nga Gjermanishtja: Sherif Ramabaja

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat