Qindra protestues të udhëhequr nga studentët e universitetit mbajtën të enjten një tubim të zhurmshëm jashtë selisë së televizionit shtetëror të Serbisë, pavarësisht se presidenti i vendit u zotua të përmbushë të gjitha kërkesat e tyre, ndërsa po përballet me një nga kërcënimet më sfiduese ndaj sundimit të tij populist.
Demonstrata është pjesë e protestave më të gjera që shpërthyen pas rënies së një çatie betoni në stacionin hekurudhor në qytetin verior të Novi Sadit muajin e kaluar, duke vrarë 15 veta.
Duke fishkëllyer, brohoritur e tallur, protestuesit thanë se janë të zemëruar që televizioni shtetëror RTS po transmeton akuzat e presidentit Aleksandër Vuçiç se studentët janë paguar nga Perëndimi dhe gjetkë për të mbajtur protesta me qëllim të rrëzimit të qeverisë së tij.
Protestuesit morën me vete thasë që kinse mbanin tufa parash përpara stacionit televiziv në qendër të Beogradit. Stacioni televiziv është akuzuar për përhapjen e rrëfimit nacionalist pro-qeveritar prej vitesh.
Mësimet në më shumë se 40 fakultete në të gjithë Serbinë janë pezulluar prej ditësh.
Shumë në Serbi fajësojnë për shembjen vdekjeprurëse korrupsionin e shfrenuar në vend, që çoi në punimet e parregullta të rinovimit në ndërtesën e stacionit në Novi Sad, pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë me kompanitë shtetërore kineze të përfshira në një sërë projektesh infrastrukturore në vendin ballkanik.
Shembja e çatisë është shndërruar në një vatër pakënaqësish më të gjera me sundimin autokratik në rritje të presidentit, duke pasqyruar kërkesat publike për ndryshime demokratike. Pothuajse çdo ditë janë mbajtur protesta që nga 1 nëntori në Novi Sad, Beograd dhe qytete të tjera, të cilat nganjëherë u shndërruan në të dhunshme.
Presidenti Vuçiç njoftoi në një konferencë shtypi të mërkurën në mbrëmje se dokumentacioni në lidhje me rinovimin e ndërtesës së hekurudhës në Novi Sad do të bëhet publik, siç kanë kërkuar studentët.
Prokurorët kanë nisur hetimet dhe kanë ndaluar 13 persona. Por, një ministër i qeverisë është liruar, duke nxitur spekulime të gjera mbi hetimin pasi populistët në pushtet kontrollojnë gjithashtu policinë dhe gjyqësorin.
Studentët thanë të enjten se duan të arrestohen edhe banditët që sulmuan protestuesit paqësorë.
"Ne erdhëm për t'i kthyer paratë", i tha një prej studentëve turmës ndërsa ata lanë në mënyrë simbolike thasë të improvizuar me para jashtë ndërtesës së televizionit. "Mund t'ia dorëzoni ato (çantat) presidentit dhe t'i thoni atij se ne duam një kërkimfalje publike"./VOA