Diplomatja përballë futbollistit: Garë e ashpër për president në Gjeorgji

Evropë

Diplomatja përballë futbollistit: Garë e ashpër për president në Gjeorgji

Më: 13 dhjetor 2024 Në ora: 17:19
Mikheil Kavelashvili.

Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, e ka publikuar së voni një fotografi të dekorimeve në pallatin presidencial në Tbilisi.

“E kanë vendosur një tren para Pallatit Orbeliani. Le ta shohim kush do të largohet”, ka shkruar ajo në Facebook.

Më 14 dhjetor, një kolegj zgjedhor, i dominuar nga partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, pritet ta zgjedhë ish-futbollistin 53-vjeçar, Mikheil Kavelashvili, populist i krahut të djathtë, si presidentin e ri të Gjeorgjisë.

Inaugurimi është caktuar për 29 dhjetor.

Mirëpo, teksa Gjeorgjia veçse po përballet me protesta antiqeveritare, 72-vjeçarja Zurabishvili, mandati i së cilës përfundon këtë vit, ka thënë se nuk e ka mendjen të largohet nga pushteti.

“Nuk do të ketë inaugurim dhe mandati im vazhdon”, ka thënë ajo më 30 nëntor.

Presidentja e Gjeorgjisë Salome Zurabishvili (djathtas) duke marrë pjesë në protestë në Tbilisi në nëntor, pasi kryeministri Irakli Kobakhidze, ka thënë se shteti do të pezullojë rrugëtimin drejt BE-së deri më 2018.

Kandidatët

E kaluara dhe pikëpamjet politike të të dy politikanëve nuk do të mund të ishin më të ndryshme.

Zurabishvili ka lindur në Francë, pasi familja e saj është shpërngulur atje, pas ikjes së pushtimit të kryer nga Ushtria e Kuqe në Gjeorgji, më 1921.

Ajo ka shërbyer për dekada si diplomate franceze, para se të bëhej ministre e Jashtme më 2004.

Në rritje e sipër të emrit të saj në politikë, ajo ka qenë secilën herë e më e pëlqyer nga shoqëria urbane e progresive e Gjeorgjisë, për shkak të bindjeve të saj për integrim të vendit në Bashkimin Evropian.

Kjo nuk është hera e parë që ajo është rreshtuar krah protestuesve, të cilët që dy javë janë nëpër rrugë duke protestuar vendimin e Qeverisë për të pezulluar procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Autoritetet janë përgjigjur me shtypje të dhunshme të marsheve, duke shënjestruar protestuesit, aktivistët opozitarë dhe gazetarët.

Ndonëse partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane e ka përkrahur në mandatin e parë presidencial më 2018, Zurabishvili tani është halë në sy për këtë parti.

Edhe pse pozita e presidentit është kryesisht ceremoniale në Gjeorgji, Zurabishvili e ka kritikuar Ëndrrën Gjeorgjiane për qëndrimin secilën herë e më autoritar.

Teksa Zurabishvili e ka portretizuar shpesh veten si kampione të demokracisë, Kavelashvili e ka portretizuar veten si kampion të njerëzve.

Duke u shpërfaqur si njeriu i çdo gjeorgjiani, Kavelashvili është futbollist i shpërblyer, dhe ka pasur karrierë të suksesshme në Zvicër, Angli dhe Rusi.

Pas hyrjes në parlament më 2016, Kavelashvili e ka themeluar partinë Fuqia e Popullit, degë më radikale dhe kundërperëndimore e Ëndrrës Gjeorgjiane.

Duke pasur bazën në qasje konservatore, ai shpesh nuk arrin të bëjë dallimin mes “vlerave tradicionale gjeorgjiane” dhe asaj që e konsideron degjenerim i liberalizmit perëndimor. Ai është njeri i zëshëm kundër imigrimit.

Kavelashvili gëzon mbështetje e Ëndrrës Gjeorgjiane dhe themeluesit të fuqishëm të partisë, miliarderit, Bidzina Ivanishvili.

“Ai është mishërimi më i mirë i një burri gjeorgjian. Një burrë i mrekullueshëm dhe baba i katër fëmijëve” ka thënë Ivanishvili kur e ka prezantuar atë si kandidat për president, më 27 nëntor.

Zgjedhje të kontestuara

Në zemër të mospajtimeve janë zgjedhjet e fundit parlamentare të këtij shteti.

Në zgjedhjet e 26 tetorit, Ëndrra Gjeorgjiane e ka shpallur fitoren, duke thënë se ka fituar 54 për qind të votave, ndërsa opozita e bashkuar i ka fituar 38 për qind të votave.

Vëzhguesit ndërkombëtarë dhe opozita e kanë kritikuar procesin, duke thënë se janë kryer mashtrime dhe ka pasur shumë parregullsi.

Zurabishvili ka thënë se zgjedhjet janë “vjedhur” me ndihmën e Rusisë dhe e konsideron parlamentin – që nënkupton edhe kolegjin zgjedhor – si jolegjitim.

Zurabishvili është presidentja e fundit e Gjeorgjisë që është votuar direkt nga populli.

Më 2017, Gjeorgjia e ka miratuar një sistem të ri të zgjedhjes së presidentit, në kuadër të ndryshimeve kushtetuese, që është thënë se janë bërë për forcim të demokracisë parlamentare, zvogëlim të polarizimit politik dhe përputhjes me normat evropiane, të cilat parashohin rol ceremonial për pozitën e presidentit.

Kritikët e këtyre reformave besojnë se ndryshimet i kanë dhënë edhe më shumë pushtet Ëndrrës Gjeorgjiane, dhe kështu është dobësuar konkurrenca politike.

Rritja e tensioneve

Prej marrjes së pushtetit më 2012, Ëndrra Gjeorgjiane është përballur me kritika të vazhdueshme për rritje të autoritarizmit, përfshirë akuzat për ndërhyrje në zgjedhje, në gjyqësor dhe për shtypje të mediave.

Në vitin e fundit, Gjeorgjia është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për ligjet kontroverse kundër komunitetit LGBT dhe atë për “agjentë të huaj”, të cilat janë përkrahur zëshëm nga Kavelashvili.

Në valë e sipër të protestave në kryeqytetin e Gjeorgjisë, ka thashetheme se Zurabishvili do të barrikadohet në pallatin presidencial.

Shumë protestues shqetësohen se policia do t’i pamundësojë protestat në sheshin Rustaveli, para se të mbahen zgjedhjet.

Procesi i votimit pritet të nisë në orën 9:00 të mëngjesit, më 14 dhjetor, dhe rezultatet do të bëhen publike brenda ditës. Ndonëse në kolegjin zgjedhor ka edhe anëtarë të opozitës, ata janë duke refuzuar pjesëmarrjen.

Dhe meqë në garë është vetëm një kandidat, nuk ekziston mundësia e rundit të dytë.

Kjo nuk është hera e parë që Gjeorgjia është duke u përballur me një kësi situate.

Zviad Gamsakhurdia, presidenti i parë i shtetit, i zgjedhur në maj të vitit 1991, është rrëzuar përmes puçit.

Ndonëse në azil, ai kishte refuzuar të tërhiqej nga pushteti, apo të njihte qeverisjen e re, në krye me Eduard Shevardnadzen, ministër i Jashtëm në periudhën sovjetike.

Më 1993, Gamsakhurdia ishte kthyer në Gjeorgji, për të udhëhequr një rezistencë të pasuksesshme ushtarake, dhe ka vdekur më vonë gjatë atij viti në rrethana misterioze.

Rezultati i zgjedhjeve presidenciale të 14 dhjetorit me shumë mundësi nuk do të njihet nga opozita e Gjeorgjisë apo aktivistë të shoqërisë civile.

Ndonëse Kavelashvili dhe partia në pushtet gëzojnë mbështetjen e disa gjeorgjianëve – kryesisht të atyre që nuk janë prekur nga protestat - Zurabishvili e ka mbështetjen e protestuesve.

Dhuna e ashpër ndaj tyre, nga ana e policisë, ka tronditur shumë banorë të Gjeorgjisë dhe përtej.

“Mua më mbrojnë njerëzit që janë jashtë nëpër rrugë”, ka thënë ajo për transmetuesin britanik, BBC, më 1 dhjetor.

“Mendoj se partia në pushtet është shumë e izoluar, dhe do të jetë edhe më e izoluar”, ka thënë mes tjerash ajo./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat