Paratë kineze që i janë dhënë Dukës së Jorkut po hetohen nga shërbimet e sigurisë, bën të ditur The Telegraph.
Dyshimet janë se Princi Andrew ka marrë para nga donatorë kinezë, me lidhje me një spiun të dyshuar të partisë komuniste.
Të enjten spiuni i supozuar, i përshkruar si “një i besuar i ngushtë” i Dukës në dokumentet e gjykatës, ishte ndaluar nga Mbretëria e Bashkuar për arsye të sigurisë kombëtare.
Në komentet e tij të para mbi skandalin, Duka këmbënguli se ai “ndërpreu çdo kontakt” me spiunin e dyshuar pasi u ngritën shqetësimet, duke theksuar se “nuk ka diskutuar ndonjëherë gjëra të një natyre të ndjeshme”.
Sidoqoftë, rasti ngre pyetje serioze për Dukën se si ai financon një mënyrë jetese luksoze që përfshin mirëmbajtjen në Royal Lodge, shtëpinë e tij me 30 dhoma në Windsor dhe sigurinë e tij private.
The Telegraph shkruan se Buckingham Palace nuk ka asnjë mënyrë për të kontrolluar financat e Dukës, duke përfshirë paratë e përdorura për mirëmbajtjen e Royal Lodge, e cila është në pronësi të Crown Estate.
Burimet thanë se pallati “nuk kishte fuqi, autoritet apo të drejtë ligjore” për ta bërë këtë dhe se gjithçka që zyrtarët e pallatit mund të bënin ishte të kërkonin garanci se paratë e Dukës ishin “fituar në mënyrë legjitime”.
Mund të zbulohet gjithashtu se Mbreti ishte vënë në dijeni për hetimin e MI5 ndaj vëllait të tij dhe lidhjet e tij me agjentin e dyshuar kinez përpara se të dilnin faktet që ekspozojnë miqësinë e tyre.
Skandali i fundit që ka përfshirë Dukën ka të ngjarë të ketë kontribuar në vendimin e Mbretit në fillim të vitit për t’i ndërprerë vëllait të tij nga të gjitha financimet.
Buckingham Palace nuk pranoi të thoshte se kur Mbretit iu tha për hetimin e MI5 për spiunin e dyshuar, por burimet mbretërore theksuan se Duka “nuk mbështetej më privatisht nga Mbreti”.
Ka të ngjarë që agjencia vendase e inteligjencës të ketë informuar familjen mbretërore përmes Lord Parker.
Spiuni i supozuar, i njohur vetëm si H6, është një ish-nëpunës civil i vogël në Kinë, i cili akuzohet se punon për Departamentin e Punës së Frontit të Bashkuar (UFWD), një strukturë e shtetit kinez që përdoret për të mbledhur inteligjencë, rekrutuar agjentë dhe për të blerë ndikim jashtë vendit.
Sipas raportimeve, spiuni i dyshuar kinez ishte ftuar gjithashtu në Pallatin Buckingham nga Duka i Jorkut. Spiun i dyshuar mori pjesë në Pallat në dy raste.
Ai gjithashtu mori pjesë në një ceremoni në Pallatin e St James dhe një ngjarje në Kështjellën Windsor, raportoi gazeta Times.
Princi nisi një iniciativë në të gjithë Kinën të quajtur Pitch@Palace, e cila drejtonte konkurset e biznesit të stilit të “Dragons Den”. Thë Telegraph shkruan se H6 ishte i lidhur me operacionet kineze të Pitch@Palace.
Çdo fitim i bërë nga sipërmarrja e biznesit është subjekt i shqyrtimit nga shërbimet e sigurisë.
Princi Andrew lançoi Pitch@Palace në Mbretërinë e Bashkuar mbi baza jofitimprurëse në vitin 2014. Dy vjet më vonë, ai lançoi versione jashtë shtetit, duke përfshirë Kinën, të cilat u përdorën për të fituar para.
Është e paqartë kur ai u takua me H6. Por burimet kanë vënë në dukje një sërë fjalimesh dhe komentesh të dhëna nga Princi Andrew, në të cilat ai inkurajoi bizneset britanike të investojnë në Kinë.