Gjeorgjianët protestojnë kundër emërimit të kandidatit të së djathtës për president

Evropë

Gjeorgjianët protestojnë kundër emërimit të kandidatit të së djathtës për president

Më: 14 dhjetor 2024 Në ora: 10:36
Mikheil Kavelashvili pritet të zgjidhet president i shtetit përmes një votimi indirekt.

Zona rreth ndërtesës së Parlamentit të Gjeogjisë është barrikaduar të shtunën dhe trafiku është ndaluar, teksa protestueset opozitarë janë mbledhur për protesta të mëdha.

Në atë zonë është vërejtur prezencë e madhe e forcave policore.

Marshi i 14 dhjetorit vjen teksa kolegji zgjedhor i dominuar nga partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane pritet të emërojë për president, ish-futbollistin, Mikheil Kavelashvili, figurë me qëndrime të së djathtës ekstreme.

Protestat janë vazhdimësi e marsheve që janë mbajtur pas zgjedhjeve parlamentare, të mbajtura javë më parë, të cilat presidentja aktuale dhe opozita besojnë se janë manipuluar.

Kavelashvili, kandidati i vetëm për pozitën e presidentit – pozitë ceremoniale në Gjeorgji – pritet të zgjidhet përmes votimit indirekt në parlment.

Ky 53-vjeçar njihet për qëndrimet kundër Perëndimit dhe kundër të drejtave për komunitetin LGBTQ.

Kavelashvili do të jetë pasardhës në pushtet i presidentes aktuale, Salome Zurabishvili, e cila ka qasje pro-evropiane, dhe u është bashkuar protestave të opozitës për çdo ditë në dy javët e fundit.

Zurabishvili, e cila është bërë halë në sy për partinë në pushtet dhe e ka kritikuar Ëndrrën Gjeorgjiane për qëndrime secilën herë e më autoritare, ka thënë se nuk do të largohet nga presidenca, pas inaugurimit të Kavelashvilit më 29 dhjetor.

“Ajo që do të ndodhë në parlament është parodi – një ngjarje jokushtetuese dhe jolegjitime”, ka thënë ajo përmes një konference për media më 13 dhjetor.

Ajo ka thënë më parë se zgjedhjet parlamentare janë manipuluar me ndihmën e Rusisë.

Kriza politike në Gjeorgji ka shpërthyer pasi Ëndrra Gjeorgjiane ka pretenduar fitore në zgjedhje, ndërsa kriza është intensifikuar pas vendimit të kësaj partie për t’i pezulluar negociatat për anëtarësim me Bashkimin Evropian deri më 2027.

Autoritetet kanë tentuar të shtypin dhunshëm protestat, duke arrestuar qindra njerëz në dy javët e fundit.

Dhuna ndaj protestuesve dhe gazetarëve është dënuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat