Zvicra planifikon investime 250 milionë dollarë në restaurim dhe përmirësim të rrjetit të strehimoreve të vjetra atomike, si një avantazh në një kohë të pasigurisë globale në rritje sidomos pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë.
Falë një ligji të vitit 1963, Zvicra tashmë është përpara fqinjëve si Gjermania dhe secilit prej 9 milionë banorëve të saj, përfshirë të huaj dhe refugjatë, iu garantohet një vend në një strehë që i mbron nga bombat dhe rrezatimi bërthamor.
"Vitet e ardhshme, Konfederata dëshiron të heqë disa përjashtime nga rregullat aktuale dhe të rindërtojë disa nga strehimoret më të vjetra. Kjo nuk do të thotë se ne po përgatitemi për konflikt, ky nuk është mesazhi, por ne kemi një rrjet të strehimoreve dhe duhet t'i mbajmë ato dhe të sigurohemi që ato të jenë funksionale," tha Louis-Henri Delarageaz, komandant i mbrojtjes civile për kantonin Vaud.
Ai tha gjithashtu se zyra e tij ka parë një rritje të thirrjeve nga banorët e shqetësuar për strehimore pasi Rusia pushtoi Ukrainën.
Pas Zvicrës, Finlanda është vendi i dytë me numrin e strehimoreve të ndërtuara në Evropë. Strehimoret e saj publike mund të strehojnë më shumë se 4.5 milionë qytetarë nga gjithsej 5.6 milionë, dhe nëse është e nevojshme, mund të strehojnë të gjithë popullsinë.
Ligjet finlandeze thonë se çdo ndërtesë më e madhe se 1000 metra katrorë duhet të ketë një strehë.