Diplomatët nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia takohen më 27 shkurt në Stamboll për të diskutuar lidhur me mosmarrëveshjet që kanë sa i përket misioneve përkatëse diplomatike, teksa dy palët po vazhdojnë dialogun dypalësh që po shihet si thelbësor për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Delegacionet e udhëhequra nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u pajtuan javën e kaluar në Arabinë Saudite që të nisin diskutimet për misionet diplomatike.
Bisedimet u mbajtën pasi presidenti Donald Trump, ndryshoi politikën amerikane për izolimin e Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës dhe në vend të kësaj e përqendroi politikën në rivendosjen e raporteve dhe lëvizjen drejt përfundimit të shpejt të luftës. Bisedimet dypalëshe në Riad ngritën shqetësime se SHBA-ja mund të negociojë një marrëveshje të pafavorshme për Ukrainën dhe Evropën.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se bisedimet në Stamboll nuk do të përfshijnë diskutime për Ukrainën, por ato ende shihen si test për dëshirën e Moskës për t’u angazhuar.
Rubio tha gjatë një interviste më 26 shkurt se SHBA-ja ende nuk e di nëse rusët janë të sinqertë lidhur me përfundimin e luftës, por këtë pala amerikane do ta kuptojë.
Ai tha se delegacioni amerikan shkoi në Riad për të pyetur rusët nëse dëshirojnë t’i japin fund luftës apo të vazhdojnë luftimet dhe ata u pajtuan për takime pasuese që do të përfshinin ekipe të diplomatëve në bisedime që do të çojnë në përfundimin e luftës, tha Rubio për Fox News.
“Nëse ata insistojnë në një gjë joreale, ne do ta kuptojmë se ata nuk janë të vërtetë. Por, ne duhet ta testojmë këtë”, deklaroi kryediplomati amerikan.
“Ne duhet ta dimë, dhe presidenti dëshiron ta di, nëse rusët janë të interesuar që t’i japin fund kësaj lufte apo jo”, tha Rubio. “Presidenti Trump ka bërë marrëveshje gjatë gjithë jetës së tij. Ai nuk do të përfshihet në një marrëveshje të keqe”.
Një zëdhënës i DASH-it i tha Reutersit se në agjendën e bisedimeve në Stamboll nuk do të ketë çështje politike apo të sigurisë.
“Konstruktiviteti i këtyre bisedimeve do të bëhet i qartë shumë shpejt, ose çështjet do të zgjidhen ose jo. Ne do të dimë shumë shpejt nëse Rusia është vërtetë e gatshme të angazhohet në mirëbesim”, tha zëdhënësi.
Më herët, Lavrov deklaroi se bisedimet do të përqendrohen në krijimin e kushteve më të mira për diplomatët rusë në SHBA dhe për homologët e tyre amerikanë në Rusi. Dy shtetet kanë dëbuar diplomatë dhe kanë kufizuar emërimet e stafit të ri në misionet diplomatike të njëri-tjetrit që kur lufta në Ukrainë nisi tre vjet më parë.
Zëdhënësi i DASH-it tha se do të bisedohet për ambasadat dhe konsullatat ruse në Nju Jork dhe Hjuston, por jo edhe për misionin e Rusisë në Kombet e Bashkuara.
Çështjet në agjendë po ashtu përfshijnë nivelet e personelit, vizat dhe çështjet e tjera operacionale, tha zëdhënësi.
Lavrov, ndërkaq, tha se rezultati i bisedimeve “do të tregojë se sa shpejt dhe në mënyrë efektive ne mund të lëvizim”.
Bisedimet në Stamboll do të mbahen një ditë para se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensly, pritet të qëndrojë në Uashington për të nënshkruar një marrëveshje për mineralet e rralla të tokës.
Sipas marrëveshjes, Kievi do të japë disa të ardhura nga burimet e saj minerale në një fond që do të kontrollohet së bashku me SHBA-në.
Marrëveshja është në epiqendër të përpjekjeve ukrainase për të fituar mbështetje të fuqishme nga Trumpi, teksa udhëheqësi amerikan kërkon një përfundim të shpejtë të luftës. Trump tha se Zelensky do të nënshkruajë marrëveshjen për mineralet e rralla të tokës dhe për tema të tjera gjatë vizitës së tij në SHBA./REL