Lewis Hamilton ka dhënë një mesazh emocional për ekipin e tij pasi mori pjesë në garën e tij të fundit për Mercedes në çmimin e madh të Abu Dhabit.
Pas nisjes nga vendi i 16-të në garën që mbyllte sezonin, Hamilton “ktheu vitet pas” në një garë të shkëlqyer dhe e përfundoi karrierën e tij te Mercedes me një rikthim mbresëlënës, duke siguruar vendin e katërt.
Disa çaste më vonë, pati një bisedë emocionale mes kampionit të tetëfishtë botëror, CEO të Mercedes, Toto Wolff dhe inxhinierit të lartë të garave, Peter ‘Bono’ Bonnington.
“Punë e shkëlqyer, Lewis. Kjo është një P4, shoku,” tha Bonnington, i emocionuar. “Dhe kjo është fundi i një epoke. Duhet të them, shoku, ka qenë një eksperiencë epike të punoj me ty”.
Wolff, i cili i kërkoi falje Hamiltonit për mënyrën si u trajtua Q1 nga Mercedes para garës të së dielës, ishte plot lavdërime për britanikun.
“Lewis, ajo ishte një garë e një kampioni bote,” tha ai. “Ajo është gara e një kampioni bote. E mrekullueshme.”
Hamilton, i emocionuar, iu përgjigj: “Faleminderit, Toto… ka qenë argëtim.”
Bonnington shtoi: “Punë fantastike sot. Ka qenë kënaqësi gjatë gjithë rrugëtimit. Edhe në momentet e vështira…”
Hamilton iu përgjigj: “Kënaqësia ka qenë e imja. Ne ëndërruam vetëm, por së bashku besuam. Dhe si një ekip, arritëm gjëra që vetëm… faleminderit për gjithë guximin, vendosmërinë dhe pasionin për të më mbështetur dhe për të qëndruar pranë meje.”
“Ajo që filloi si një hap besimi, u shndërrua në një udhëtim drejt librave të historisë. Kështu, e bëmë gjithçka së bashku dhe jam shumë, shumë mirënjohës për të gjithë. Nga zemra ime, gjithçka më të mirën”.
Bonnington iu rikthye radios: “Faleminderit, Lewis. Po, ka qenë një udhëtim i jashtëzakonshëm,” shtoi ai. “Jam kaq mirënjohës që isha pjesë e këtij kapitulli të jetës tënde dhe fat të mbarë për kapitullin tjetër.”
Wolff e mbylli duke thënë: “Edhe ne të duam dhe do të jesh gjithmonë pjesë e kësaj familjeje. Dhe nëse ne nuk mund të fitojmë, ti duhet të fitosh”.
Nga sezoni 2025, Hamilton do të garojë për ekipin italian Ferrari, krahas Charles Leclerc.
Kur u pyet se çfarë kishte ndryshuar midis nënshkrimit për Mercedes verën e kaluar dhe vendimit për t’u bashkuar me Ferrari, ai shpjegoi: “Në verë nënshkruam, dhe natyrisht, atë kohë e shihja të ardhmen time me Mercedes. Por një mundësi u shfaq në vitin e ri dhe vendosa ta pranoj.
Ndjeva se… ishte padyshim vendimi më i vështirë që kam pasur ndonjëherë për të marrë. Sigurisht që kam qenë me Mercedes për, mendoj, 26 vjet që ata më kanë mbështetur, dhe kemi pasur një udhëtim të jashtëzakonshëm së bashku”.
“Kemi krijuar histori në këtë sport, dhe është diçka për të cilën ndihem shumë krenar dhe jam shumë i lumtur për atë që kemi arritur, por mendoj se në fund, po shkruaj historinë time dhe ndjeva se ishte koha për të filluar një kapitull të ri”, ka thënë Hamilton.