Testet në Bahrejn

Formula 1

Testet në Bahrejn

Më: 27 shkurt 2025 Në ora: 11:15
Pamje

E filluar me kohën më të shpejtë nga An drea Kimi Antoneli i Mercedesit gjatë paradites, dita e parë e provave të Formulës 1 në Sakhir është mbyllur nën shenjën e Lando Norrisit të MekLarenit, i cili fiksoi rezultatin më të mirë.

Katër skuadrat e mëdha treguan menjëherë se janë para të tjerëve, teksa me Norrisin të parin që e ndali kronometrin në kohën 1:30.430, më tej kohët më të shpejta i shënuan Xhorxh Rasëll i Mercedesit, 1:30.587, në vend të dytë, kampioni në fuqi i botës, Maks Vershtapen, me pilotin e Red Bullit që u rendit i treti me rezultatin 1:30.674. Ndërsa pozicioni i katërt shkoi për Sharl Lëklerk të Ferrarit, i cili fiksoi kohën 1:30.878 në Bahrejn.

Sigurisht, në këtë ditë të parë nuk ishte kronometri objektivi parësor për skuderitë, por përshkrimi i sa më shumë xhirove, për të mbledhur të dhëna dhe sinjale mbi asetet e njëvendësheve. Këtë gjë e konfirmon edhe fakti se paraqitja më e mirë e ditës së djeshme nga Norris ishte me mbi 1 sekondë diferencë nga “pole position” që Vershtapen ka arritur sezonin e kaluar në këtë pistë. Ndërkohë për tu theksuar ishte futja e gjatë e flamurit të kuq në mes të sesionit të pasdites për shkak të një “blackout”-i elektrik në cirkuit, i cili i detyroi pilotët të futeshin në bokse.

Duke u kthyer te një prej protagonistëve më të shumëpritur të ditës, te debutimi i Luis Hamiltonit me makinën Ferrari, britaniku nuk shkoi më shumë se vendi i 13-të, teksa regjistroi kohën 1:31.834. Vendi i pestë për Karlos Sainzin me makinën e tij të re, Uilliams, me ish-ferraristin që shënoi kohën 1:30.955.

Më tej “Top 10”-shja e rezultateve më të mira të ditës së parë të testeve vijon sipas radhës me Pierr Gaslin e skuadrës Alpine (1:31.353), Kimi Antoneli i Mercedesit (1:31.428), Liam Lauson i Red Bullit (1:31.560), Aleksandër Albon i Uilliams (1:31.573) dhe Iuki Tsunoda i ekipit RB (1:31.610). Teste do të vazhdojnë sot dhe nesër, me nga dy sesione në ditë, në orën 08:00 deri në 12:00 si dhe nga ora 13:00 deri në orën 17:00.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat