Ai konsiderohet si një nga mbrojtësit më të fortë në botë, një lojtar i cili, pavarësisht se është vetëm 22 vjeç, tashmë mund të mburret me një përvojë të madhe në nivele të larta. Matthijs De Ligt foli për veten në një intervistë të gjatë me DAZN dhe gjithashtu shpjegoi se si e gjen veten duke punuar me Massimiliano Allegri, i cili, këtë sezon u kthye në stolin bardhezi për të filluar ciklin e tij të dytë aty:
“Allegri është një trajner me përvojë të madhe, e njeh mjaft mirë futbollin, ka fituar shumë me Juventusin dhe Milanin. Unë jam i lumtur që është trajneri im tani, kjo është shumë e rëndësishme për t’u përmirësuar.
Taktikisht ai më ndihmon shumë, ka ide për të luajtur 90 minuta me mentalitetin e duhur, për ta fituar ndeshjen. Nuk ka rëndësi nëse luajmë futboll të mirë apo të keq, e vetmja gjë që ka rëndësi është të fitojmë”.
De Ligt te Juventusi ka mundësinë të stërvitet dhe vëzhgojë nga afër dy mbrojtës të mëdhenj si Giorgio Chiellini dhe Leonardo Bonucci: “Unë fola shumë me Bonuccin dhe Chiellinin, janë një referencë shumë e madhe për fitoret që kanë arritur me Juventusin dhe Italinë.
Kam shumë forcë fizike dhe një ndjenjë të mirë me topin, por ata më këshilluan të qëndroj i fokusuar dhe i qetë gjatë lojës. Kjo ndihet edhe nga ekipi, me paqen e mendjes të gjithë luajnë më mirë”.
Të jesh lojtar i kalibrit të De Ligt do të thotë gjithashtu të merresh me kritikat e atyre që gjithmonë presin më të mirën prej tij dhe të dish t’i menaxhosh ato: “Sipas mendimit tim, kritika është normale në futboll.
Unë e kritikoj më shumë veten. Është e rëndësishme të kesh këtë ide se çfarë duhet bërë për t’u përmirësuar. Pastaj, është normale që të gjithë preferojnë të marrin komplimente. Për mua, kritika është normale, të gjithë duhet të mësojmë dhe ndonjëherë mund të jetë edhe konstruktive”.