“Lufta” për një vend që të çon në Ligën e Parë vazhdon të jetë e fortë. Bashkimi është një nga pretendentët kryesorë, pas Makedonija GJP Bregallnica, Arsimi e të tjerë.
Kumanovarët nesër përballen me Kozhufin nga Gjevgjelia me fillim nga ora 13.00. Vendasit me anë të një postimi në faqen e tyre zyrtare në rrjetin social FB kanë treguar mjaft mirë rëndësinë e kësaj përballje, por jo vetëm kaq, pasi ata kanë respektuar edhe rivalin.
Një thirrje e drejtpërdrejtë u është bërë edhe tifozëve, në mënyrë që të jenë sa më të shumtë në numër. Prezenca e lojtarit të 12-të ka qënë një shtysë e madhe gjatë gjithë këtij gjysmësezoni.
Të dashur tifozë dhe dashamirë të klubit BASHKIMI 1947,
Edhe pse koha është e ftohtë, ju ftojmë të shtunën që të vini për ta përkrahur ekipin tonë.
Ekipi ka nevojë për mbështetjen tuaj, pasi 3 pikët në këtë fazë janë shumë të rëndësishme për ne.
Nga ana tjetër, klubi ynë kërkon nga Federata e Futbollit dhe Komisioni i Delegimit të Arbitrave që të sigurojnë një drejtësi 50/50 në ndeshjet tona të radhës. Duam të shmangim çdo situatë të padëshiruar, pasi është e papranueshme që klubi ynë të dëmtohet, siç ka ndodhur në 6 ndeshjet e fundit. Ne dëshirojmë të luajmë futboll të pastër dhe të bukur, pa probleme dhe polemika.
Bashkimi nuk mund të përballojë më referime të njëanshme dhe skandaloze.
Ekipit të Kozhuf-it i urojmë mirëseardhje dhe shpresojmë që ndeshja të jetë një spektakël i denjë për tifozët. Le të fitojë më i miri!", shkruan në faqen e KF Bashkimit.