Luis Jimenez shokon me deklaratën

Futboll

Luis Jimenez shokon me deklaratën

Më: 23 nëntor 2024 Në ora: 11:39
Luis Jimene

Luis Jimenez, ish-lojtari i Ternana, Fiorentina, Lazio, Inter, Parma dhe Cesena ka bërë deklarata tronditëse në podcast-in “Vamo a Calmarno”. Ish-mesfushori kilian ka zbuluar prapaskena shqetësuese nga përvoja e tij në futbollin italian, duke përmendur ndeshje të manipuluara:

“Kam luajtur të paktën tri ndeshje të manipuluara. Kjo ka ndodhur në Itali, por nuk mund t’ju them me cilën skuadër. Diçka e tillë nuk më ka ndodhur kurrë në Kili. Në Itali, përkundrazi, kishte shumë ndeshje të manipuluara dhe shumë mafia. Sot është më pak, sepse shumë ish-lojtarë dhe drejtues janë ndëshkuar dhe nuk punojnë më në futboll. Për mua ishte shumë e rëndë. Isha në fillimet e mia dhe doja të arrija majat e futbollit italian”.

Jimenez ka përshkruar një episod specifik gjatë kohës që luante me Ternana: “Një herë shënova pasi hyra nga stoli dhe portieri im deshi të më vriste. Ishte një marrëveshje për barazim. Kjo do të thoshte që skuadra tjetër duhej të shënonte me çdo kusht dhe koha për të arritur 1-1 ishte shumë e shkurtër. Ai portier luante rrallë dhe dëshironte një barazim pa gola. Nuk e dija për këtë, ishte një nga ndeshjet e mia të para në Itali. Doja të jepja maksimumin, por më treguan për këtë vetëm pas ndeshjes”.

Jimenez përmendi një tjetër ndeshje kundër Atalantës, në vitin 2004, kur të dyja skuadrat po luftonin për kryesimin e tabelës: “Atë ditë fitova një penallti dhe vura re se të gjithë ishin të dëshpëruar. Edhe shoku im që e shënoi penalltinë e mbuloi fytyrën pa festuar. Unë mbeta jashtë fushës, sepse më goditën fort. Mjeku më shpjegoi se ishte një ndeshje e manipuluar, nuk duhej të hyja më në zonën e rreptësisë. Askush nuk më kishte folur për këtë. Iu thashë: Të paktën më lajmëroni”.

Jimenez duket se i referohet ndeshjes Atalanta-Ternana, e përfunduar 1-1 më 21 dhjetor 2003 në Serie B. Në atë ndeshje, Ternana kaloi në avantazh me një penallti të shënuar nga Zampagna në minutën e 87-të, ndërsa Budan barazoi dy minuta më pas për Atalantën.

Deklaratat e Jimenez janë të rënda dhe mund të përfundojnë në tryezën e “Drejtësisë Sportive”, duke hapur një kapitull të ri për plagën e basteve të paligjshme dhe manipulimeve në futbollin italian. Tani mbetet për t’u parë nëse autoritetet do të hetojnë këto akuza dhe çfarë pasoja mund të kenë ato.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat