Thaqi: Koha për reflektim

Futboll

Thaqi: Koha për reflektim

Më: 23 nëntor 2024 Në ora: 12:36
Armend Thaqi

Armend Thaqi, futbollist i Gjilanit, ka folur në prag të sfidës kampionale ndaj Feronikeli ’74, takim ky i cili do të zhvillohet sot në Drenas.

Anësori i djathtë ka bërë thirrje bashkëlojtarëve të tij që të kenë kujdes, pasi që kundërshtari është në rritje e sipër.

“Ndeshje e vështirë, duke parë që forma e Feronikelit ’74 është në ngritje e sipër. Pavarësisht që jemi në një ngërç psikologjik, ne megjithatë kemi përvojën dhe kemi cilësinë që ta përballojmë këtë ndeshje dhe të luajmë për fitore. Kemi bërë gabime gjatë rrugës dhe jemi të vetëdishëm për këtë gjë, prandaj fitorja është alternativa e vetme për këtë ndeshje”.

Thaqi ka potencuar që ekipi duhet të jetë më i vëmendshëm dhe mos të gabojnë.

“Kemi pranuar gola nga gabimet individuale dhe duhet të reflektojmë. Kemi pranuar gola, por kemi gjetur forcën për t’u rikthyer dhe kjo tregon karakterin e ekipit. Megjithatë, duhet të vetëdisohemi dhe të eleminojmë gabimet në mënyrë që të mos shpenzojmë shumë energji për ta ndjekur rezultatin, por për ta krijuar atë. Besojmë fuqishëm që nga ndeshja e nesërme do reflektojmë pasi që jemi në një situatë ku gabimet nuk falen shumë”.

Në fund ai ka theksuar se ky grup i lojtarëve ka potencialin dhe kualitetin e duhur që të jenë në pjesën e epërme të tabelës.

“Kemi krijuar shumë, por kemi pësuar nga gabimet individuale. Jemi optimist që do t’i eleminojmë gabimet nga ndeshjet e shkuara dhe do të rikthehemi te fitoret. Klasifikimi nuk është real në bazë të cilësisë dhe grupit që ka ky ekip”.

Dueli ndërmjet Feronikeli ’74 dhe Gjilanit zhvillohet të shtunën në “Rexhep Rexhepi” të Drenasit me fillim nga ora 13:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat