Trajneir i Gjilanit, Ardian Nuhiu, është shfaqur me optimizëm në takimin me gazetarët para duelit kampional ndaj Feronikeli ’74, takim që zhvillohet sot në Drenas.
Tekniku i kuqebardhëve ka folur për duelin e radhës, teksa ka bërë thirrje futbollistëve të tij që të tregojnë seriozitet maksimal dhe të përqendrohen te fitorja.
“Përballemi me një skuadër që ka shfaqur paraqitje të mira në ndeshjet e fundit dhe kanë merituar më tepër. Kemi shfrytëzuar këtë pauzë dyjavore në kampionat për të analizuar kundërshtarin dhe për të ndërtuar mënyrën se si ne do t’i çasemi ndeshjes. Kjo ndeshje do fokus të lartë, seriozitet dhe përkushtim maksimal. Duhet të përqendrohemi te vlerat dhe potenciali që kemi për ta fituar këtë takim”.
Reflektimi?!
“Në momentin që funksionon trekëndëshi drejtues, trajner, futbollistë dhe besimi është i lartë tek të gjithë vazhdohet puna ashtu siç kemi planifikuar. Në aspektin etik dhe moral timin, sikurse para jush (mediave), po ashtu edhe para futbollistëve kam marrë përgjegjësitë për rezultatet. Në takimi me drejtuesit pas ndeshjes së fundit (Suhareka ’23) ofrova përgjegjësinë time, por gjeta një mbështetje maksimale nga drejtuesit. Puna ime me ekipin është vlerësuar nga drejtuesit për mënyrën se si po luajmë, për mënyrën se si ne si staf i kemi kryer detyrat tona dhe janë të vetëdishëm shumë që kjo mosardhja e rezultateve është vetëm çështje kohe. Në aspektin organizativ dhe në aspektin se si punohet jemi në nivel të lartë dhe tani është çështje kohe kur do të fillojmë stabilitetin e rezultateve dhe kontinuitetin e ndeshjeve të mira”.
Besimi për të vazhduar tutje?!
“Mbështetja nga drejtuesit e klubit, si dhe mesazhi nga futbollistët se jemi në rrugën e duhur dhe është çështje kohe ardhja e rezultateve. Unë kam patur besim dhe vazhdoj të kem te ky ekip, në asnjë moment nuk e kam humbur. Megjithatë, ka qenë një reflektim moral dhe etik për rezultatet e fundit, por drejtuesit e klubit panë më lartë dhe ofruan mbështetje të plotë. Është gjë jashtëzakonisht e bukur kur ju si trajner ndjeni mbështetje maksimale se të gjithë të duan në skuadër, qoftë nga drejtuesit, gjithë atyre që e rrethojnë skuadrën dhe padyshim futbollistët të cilët besojnë në punën dhe vizionin se si punojmë”.
Ndeshjet e radhës sikurse finale!
“Ndeshjet do t’i marrim një e nga një, duke filluar nga ndeshja e nesërme e cila do të jetë sikurse një finale. Do mundohemi të marrim maksimumin e pikëve në ndeshjet të cilat kanë mbetur, por fokusin e kemi aktualisht te ndeshja e radhës. Analizën do ta bëjmë në fund të gjysmëstinorit, por padiskutim që ky grup do të vazhdojë të jetë pjesë e Gjilanit. Do shikojmë mundësitë të cilat na i ofron tregu për të shtuar konkurencën në pozita të caktuara.
Kemi qenë të vetëdishëm që vetëm me një afat kalimtar nuk mund ta ndërtojmë skuadër konkuruese e cila do të konkurojë me ekipet të cilat janë ndërtuar rishtazi në katër ose pesë vitet e fundit. Në çdo afat kalimtar do të mundohemi të sjellim 1 deri në 2 koka cilësore. Do të ndërtojmë një ekip stabil, pasi që puna dhe përkushtimi maksimal dhe mënyrë se si trajtohemi të gjithë është çështje kohe se gjithçka do të vije në vendin e vet. Te Gjilani është gjithçka profesionale dhe suksesi është çështje kohe”.
Gabimet individuale?!
“Kemi pranuar 7 apo 8 gola në të cilat ekipi nuk ka mundur të reagoj, pasi që kanë qenë gabime individuale. Ne jemi një ekip kompakt, megjithatë jemi sfiduar në ndeshjet e fundit nga gabimet individuale. Mbrojtja duhet të vije nga sulmi. Të sulmojmë dhe mbrohemi gjithë së bashku”.
Rrespekti ndaj kundërshtarëve!
“Nuk frikësohemi në asnjë moment, pavarësisht kundërshtarit. E kemi dëshmuar ndaj çdo skuadre me të cilën jemi përballur duke shfaqur nivel të lartë, përpos në disa ndeshje ku nuk kemi marrë rezultatet e kërkuara.
Në futboll nuk ka ndeshje të lehta. Momentin që nënvlerëson kundërshtarin, mund të ndodh të nënvlerësohesh vet në fund. Rrespekt maksimal për çdo skuadër, sidomos në ndeshjen e nesërme, por të tregojmë personalitet dhe të fillojmë të ndërtojmë rezultate pozitive për vazhdimësinë”.
Përballja ndërmjet Feronikeli ’74 dhe Gjilanit zhvillohet të shtunën në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas me fillim nga ora 13:00.