George Weah, i cili ka luajtur 147 ndeshje dhe ka shënuar 58 gola (duke fituar dy tituj kampioni) me Milanin mes viteve 1995 dhe 2000, sonte do të mbështesë… Juventusin!
“Që i vogël isha tifoz i flaktë i Juventusit, e adhuroja Platininë. Nuk kam reshtur kurrë së mbështeturi bardhezinjtë”, – shpjegoi ish-sulmuesi liberian, i cili sot është aktiv në politikën e vendit të tij dhe e ka drejtuar atë për 6 vite.
Natyrisht, një arsye shtesë për këtë zgjedhje është djali i tij, Timothy, i cili luan për Juventusin nën drejtimin e Thiago Motta: “Mund të thuhet se ai ka realizuar ëndrrën time, po. Dhe të mendosh që për të kisha folur me Maldinin për ta marrë te Milani. Gjithsesi, Juve është skuadra e duhur për të, përtej mbështetjes sime si tifoz”.
Në një intervistë për “La Repubblica”, Weah rikujtoi karrierën e tij: “Kur isha te Monaco, mund të përfundoja te Juve, por në fund qëndrova në Ligue 1, duke kaluar te PSG, sepse Wenger më këshilloi të rritesha më shumë para se të shkoja në një kampionat shumë të fortë si Serie A”.
Më pas erdhi transferimi te Milani: “Ëndërroja Juven, por si mund të thoja ‘jo’ për kuqezinjtë? Nuk më shkoi keq fare, ishin 5 sezone fantastike. Ende mbaj kontakte me Sebastiano Rossi, Boban, Marco Simone…”
Fituesi i “Topit të Artë” më 1995 foli edhe për përballjet mes Milanit dhe Juves 30 vite më parë: “Luaja kundër ekipit të zemrës sime, por nuk tërhiqesha kurrë dhe në fakt i kam shënuar shpesh (5 gola në 10 ndeshje). Sigurisht, ndihesha i lumtur kur shënoja, por edhe pak i trishtuar. Këto janë gjithsesi dy skuadrat e mia të zemrës”.
Po sonte, kush do të fitojë? Ja si përgjigjet ai: “Nëse fiton Juve, jam i lumtur. Nëse fiton Milani, nuk do të jem plotësisht i lumtur, por do të jem pak, sepse Milani ka bërë shumë për mua”.