Egnatia ditën e nesërme do të duelojë me Bylisin në “Adush Muça”, takim që starton në orën 13:30 dhe është i vlefshëm për javën 14-të të Superiores.
Para kësaj përballjeje ka folur në konferencën për shtyp Edlir Tetova.
Timonieri i rrogozhinasve ka theksuar se pavarësisht diferencave në renditje çdo ndeshje mbetet e vështirë. Ndër të tjera ka nënvizuar se ekipi ka nevojë për mbështetjen e tifozëve.
“Mendoj se na ka shërbyer kjo kohë. Kishim lojtarë jo në gjendjen më të mirë fizike. Si Veseli dhe Kasa janë më pranë ekipit fizikisht.
Gjendja e grupit është e mirë, mendoj se çdo gjë është drejt kolaudimit.
Mendoj se çdo ndeshje është e vështirë, shkojmë në Ballsh për tri pikët.
Nuk marrim shkas nga sezoni i kaluar, mendoj jemi Egnatia e re me ndryshime, ka prurje dhe largime. Katër pikë nuk janë shumë, por dhe ndihet. Siç e dijmë është më e vështirë ta mbash kreun, në vazhdimësi të fitosh dhe kampionatin.
Çdo gjë vjen me radhë, mendoj arritja është diçka e madhe, pastaj dhe ta ruash ka vështirësitë e veta.
Dhe nga vitet e kaluara, nuk është se kemi pas golashënues fiks. Është fakt që të gjithë marrin pjesë në shënimin e golave, nuk kam shqetësim, por ngërç sigurisht që ka.
Jemi disa skuadra pretendente, është herët, nuk ka përfunduar akoma gjysma e sezonit.
Grupi është i plotë, nuk mendoj se kemi nevojë për afrime. Do të shohim dhe diskutojmë me lojtarët për të rinovuar kontratat, pastaj do shohim ku mund të ndërhyjmë.
Personalisht mendoj që këtu është bërë diçka dhe gjithçka, gjithsecili qytetar ose sportdashës duhet ta gëzojë këtë gjë. Kemi nevojë për tifozët, duhet të vijnë ta shijojnë dhe ta përkrahin Egnatian”, ka theksuar timonieri i kampionëve.