Për herë të parë në Kosovë po mbahet Turneu Ballkanik i Olimpiadës Speciale në Futbollin e Unifikuar, aktivitet ky i cili ka për qëllim shpalosjen e aftësive të atletëve me nevoja të veçanta si dhe gjithëpërfshirjen në sport pa dallim prejardhjen, gjininë apo nacionalitetin.
Në këtë turne po marrin pjesë Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnjë e Hercegovina dhe Shqipëria.
Igballe Potera, Presidente e Olimpiadës Speciale të Kosovës, theksoi se ky turne dëshmon se sporti është aktivitet unifikues i cili nuk njeh kufijtë e as nacionalitete.
Potera: Sporti nuk njeh kufi
“Është hera e parë që Kosova po organizon një turnir të tillë në nivel ballkanik të sportit të unifikuar në futboll dhe besoj që së bashku do t’ia dalim. Sporti është një prej aktiviteteve që më së miri ndikon edhe në edukimin fizik por ndikon edhe në edukime të tjera për të cilat sporti nuk njeh kufi dhe sporti nuk njeh nacionalizëm. Prandaj uroj që kjo ditë e sotme të jetë vazhdimësi edhe e takimeve të tjera edhe në vendet tjera ballkanike”, theksoi Potera.
Ndërsa, drejtoresha Nacionale e Olimpiadës Speciale të Kosovës, Drita Dushi theksoi se qëllimi kryesor i këtij turneu është dërgimi i mesazhit të tolerancës dhe bashkëpunimit dhe paqes ndërmjet njerëzve.
Dushi: Qëllimi i turneut është dërgimi i mesazhit të paqes e tolerancës ndërmjet njerëzve
“Është një turnir i cili i dedikohet futbollit unifikues i cili luhet ndërmjet ekipeve gjithëpërfshirëse ku kemi atletë special apo sportistë me nevoja të veçanta intelektuale dhe partnerë…Qëllimi i këtij turneu nuk është vetëm të tregojmë aftësitë që kanë atletët special dhe ekipet gjithë përfshirëse të futbollit por mbi të gjitha duam ta dërgojmë mesazhin e tolerancës, paqes dhe bashkëpunimit që e synojmë edhe si program por edhe si vend që kemi me shtetet fqinje dhe dëshmia më e madhe është vetë prezenca e ekipeve”, theksoi Dushi.
Ajo bëri të ditur se organizimi i këtij turneu është mundësuar nga bashkëpunimi me Ministrinë e Sportit si dhe Komitetit Olimpik të Kosovës. Për ekipet fituese, Dusho tha se do të ketë shpërblime të ndryshme si dhe medalje.