E ardhmja e Francisco Conceicao duket se do të jetë te Juventusi. Lojtari i krahut, i ardhur në huazim kësaj vere nga Porto për një shumë totale 7 milionë euro (përfshirë 2 milionë euro për pagën), ka qenë një nga shenjat më pozitive të fillimit të këtij sezoni për bardhezinjtë. Klubi torinez ka filluar tashmë punën për ta siguruar atë në formë përhershme nga sezoni i ardhshëm.
Edhe në ndeshjen kundër Aston Villa, të mërkurën, portugezi ishte një nga lojtarët më të mirë, duke u shpallur edhe “lojtari i ndeshjes” nga UEFA. Pas transfertës angleze në Champions, përveçse analizoi paraqitjen e tij dhe të shokëve të skuadrës, Conceixao iu përgjigj edhe një pyetjeje në lidhje me të ardhmen, duke thënë: “Jam shumë i lumtur te Juve, pastaj varet nga klubet”. E “përkthyer”: nëse do të ishte për të, do të mbetej te Juventusi, por nuk mund të shprehet më shumë.
Juventusi gjithashtu ka ndërmend ta blejë dhe muajt e ardhshëm do të jenë të rëndësishëm për ta transferuar zyrtarisht nga Porto.
Sipas informacionit të mbledhur nga redaksia e TMW, Cristiano Giuntoli ka menduar për këtë prej kohësh dhe ka një strategji të qartë. Conceição ka një klauzolë largimi prej 30 milionë eurosh në kontratën e tij me portugezët, por qëllimi i Juventusit është ta marrë me zbritje.
Në këtë moment, klubi bardhezi ka paguar tashmë 5 milionë euro (nga të cilat 2 milionë janë për pagën), ndaj synimi është që të arrijnë një marrëveshje më të përballueshme. Vullneti i lojtarit, siç ka thënë ai, do të ketë një peshë të madhe në këtë negociatë. Conceição ka treguar se është shumë i lumtur te Juventusi, ku do të mbetej me kënaqësi nën drejtimin e Thiago Motta.