Dinamo luan të shtunën kundër Teutës për javën e 15-të në Superiore. Takimi starton në orën 16:30 në ‘Elbasan Arena’, shtëpinë tashmë të dinamovitëve.
Trajneri Ilir Daja ka folur në konferencën e zakonshme të shtypit para takimit si vendas. Tekniku i ‘Nëndetëses’ shprehet se ka ende shumë pikë në lojë, por Dinamo është në presion për të bërë sa më mirë.
“Diferenca është 4 pikë me Teutën. Pra, klasifikimi është shumë i ngushtë. Korça është fushë e vështirë, por ne ia dolëm të merrnim një barazim.
Jemi aty-aty me Teutën. Kemi punuar që ato ‘armë’ të forta që ajo ka t’i neutralizojmë. Numri 10 i tyre është më i miri, me shpejtësi dhe ndaj duhet t’a kemi nën fokus.
Në Superiore ka presion gjithnjë. Unë kërkoj maksimumin nga lojtarët. Vetë gara është e tillë. Ekipi ka marrë formë, kjo është një garanci për të ulur presionin. Niveli i lojës ka ardhur duke u ngritur. Më parë merrnim pikët, por loja mungonte.
Një sportist gjykohet nga vazhdimësia. Futbollistët e stolit që luajtën në Korçë bënë ndeshje pozitive, tani duhet të mbajnë ritmin për të dal në konkluzion se kemi stol të fortë.
Teuta e ka stil loje presingun ofensiv. E bën gjithmonë. Çdo ekip është në presion të pikëve, edhe pse shumë të till aka ende në lojë.”, u shpreh Daja.