Java e 15-të e elitës së futbollit të Kosovës vjen me kryendeshjen e dy rivalëve të kreut të tabelës, FC Ballkani - FC Drita.
Ndeshja pritet të jetë derbi dhe kështu u tha edhe në konferencën e klubit tonë, ku kryetrajneri i Dritës Zekirija Ramadani para gazetarëve tha se janë detajet ato që vendosin për epilogun e kësaj sfide.
"Nuk ka ndeshje te lehta, por ne aspektin e motivimit për ne si trajner është shumë më e lehtë të motivosh skuadrën.
Derbit zakonisht mund t'i vendos një moment, shpresoj që ai moment të jetë në favorin tonë. Jemi në vendin e parë, kemi pesë pikë diferencë dhe normal që duhet të shkojmë për të shënuar mund të jetë gol i fitores, i barazimit apo fare i pa vlerë por ne nuk duhet të shkojmë vetëm për t'u mbrojtur.
Për ne si trajner kur e ke një kundër skuadër si Llapin, Ballkanin apo Prishtinën është më e lehtë, sepse skuadra është mjaft e motivuar për të dhënë maksimumin dhe për të shfaq atë kualitetin që kemi brenda në fushë", deklaroi Ramadani.
Ramadani foli për rrethanat e ndeshjes, por edhe përgatitjet e skuadres.
"Do të luajmë menqur, nuk duhet të futemi avanturave, nuk duhet të rrezikojmë prapa. Fusha do jetë e rrëshqitshme, por duhet të jemi të kujdesshëm.
Duhet të jemi të kujdesshëm edhe nga ndërprerjet dhe t'i evitojmë ato, të mos i shkaktojmë pa nevojë. Duhet të shfrytëzojmë intelegjencën dhe të bëjmë ndryshime kur kemi nevojë edhe nga banka rezervë, e kanë dëshmu vetën, atmosfera në grup, intensiteti është mjaft i lartë, ka volum në stërvitje, agresivitet, dëshirë për të fituar edhe stërvitjen se pastaj si do ta fitosh lojën", ka theksuar Ramadani.
Si rëndom, kryetrajneri u pyet për titullin kampion për çka tha se është akoma herët.
"Të shfrytëzojmë gabimet e kundërshtarit, fitorja do të ishte e mirëseardhur por nuk do të thotë se jemi komod.
Titulli ka edhe shumë ndeshje, shpresoj që ndeshjet t'i marrim siç i kemi marrë me shumë qetësi, me shumë vetëbesim dhe ashtu të shfaqet edhe brenda në fushë", përfundoi Ramadani.
Derbi i kësaj xhiroje zhvillohet nesër, e shtunë, ora 13:00 në "Stadiumin e Qytetit" në Therandë.